Gjyqi ndaj Mlladiç, dëshmitari rrëfen tmerret e luftës

Në Gjykatën e Hagës ka filluar paraqitja e dëshmitarëve në rastin kundër ish komandantit të Shtabit Kryesor të Ushtrisë së Republikës Serbe të Bosnjes, Ratko Mlladiç, dy muaj pas pezullimit të gjykimit.
Si dëshmitar i parë i Prokurorisë u paraqit Elvedin Pashiç nga Komuna e Kotor Varoshit, i cili i ka shpëtuar ekzekutimit të 150 deri në 200 njerëzve nga ushtarët serbë në Grabovicë.
Më dëshminë e tij, prokuroria ka kërkuar të tregojë se si e ka trajtuar udhëheqja serbe popullatën joserbe në vitin 1992 në 20 komuna ku e mori pushtetin.
Elvedin Pashiç ka treguar se si është dashur të ikë nga fshati i tij Hrvaçani kur ishte 13 vjeç.
“Atë natë kur nisën granatimet e rënda ne ishim të strehuar me fqinjët tanë, mbase 6 familje së bashku, ka qenë e tmerrshme”, ka thënë për agjencinë Reuters, Pashiç.
Zëdhënësja e Gjykatës së Hagës, Nerma Jelaçiç ka folur për fazën e gjykimit të Mlladiç.
“Ne jemi në fazën kur përfundimisht dëshmitarët mund të nisin dëshmitë në këtë rast. Kemi njoftime nga prokuroria që thonë se do të paraqesin dëshmitë e 413 dëshmitarëve, 200 nga ta do të sillen në gjykatë, ndërkaq të tjerat do të përdoren nga gjyqet e mëhershme”, tha Jelaçiç.
Mlladiç akuzohet për gjenocid për shkak të rolit që ka pasur në rrethimin e Sarajevës dhe për orkestrimin e vrasjes së 8 mijë burrave e djemëve boshnjakë në Srebrenicë më 1995.