E Diel, 1 Nëntor 2026

Greqi, krijimi i qeverisë, Venizelos merr sot mandatin

ATHINE - Sot Presidenti i Republikës Karolos Papulias do t’i dorëzojë mandatin për krijimin e qeverisë, kryetarit të PASOK-ut, Evangelos Venizelos, i cili do t’i bëjë përpjekjet e tij në një klime shumë të pafavorshme. Greqia ndodhet nën presione të shumta, si nga zyrtarët evropianë ashtu edhe nga vetë huadhënësit që e kërcënojnë atë me dëbim nga eurozona. 

Klima rëndohet edhe shumë për shkak se media të rëndësishme si “Financial Times”, apo “New York Times”, parashikojnë që Greqia është një hap larg daljes nga euroja dhe shumë pranë kaosit e falimentimit.

Në këtë situatë të zymtë, liderët e partive politike zhvilluan dje takimet me Aleksis Cipras me qëllim krijimin e një qeverie. Kushti kryesor që Cipras vuri në negociatat e tij, ishin “deklaratat e pendimit” nga Samaras dhe Venizelos, për të bërë të mundur një dialog me Demokracinë e Re dhe PASOK. 

Cipras vazhdoi me disa lëvizje të guximshme, siç ishin letrat drejtuar zyrtarëve evropianë, ku njoftonte se nuk do të zbatonte angazhimet e marrëveshjes së borxhit, madje kërkoi takim me presidentin e ri francez Hollande dhe kancelaren Merkel, kërkesa që ranë në vesh të shurdhër. 

Cipras u akuzua nga Samara se me këto lëvizje po çonte vendin në zgjedhje, ndërsa Venizelos deklaroi se PASOK ishte gati të mbështeste me vota një qeveri të majtë, me kusht qëndrimin e vendit në Euro. 

Pikërisht ky kombinimi i fundit duket i pamundur në Greqi, kur shumica e forcave kundërshtojnë ashpër memorandumin e masave, gjë nga e cila, varet qëndrimi i saj në Euro. 

Pas negociatave të Venizelos është radha e presidentit të bëjë një përpjekje “të minutës së fundit” për të formuar një qeveri që do të shmangte përsëritjen e zgjedhjeve.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›