E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi krize edhe ne sektorin farmaceutik

Autoritetet greke po përpiqen të shmangin një tjetër krizë në sektorin farmacetik, ndërsa kompanitë e medikamenteve dhe farmacistët janë në borxh miliarda euro, pasi arkat e fondeve shtetërore të shëndetit janë bosh.

Farmacistet refuzojnë të japin ilaçe falas tek pacientët e siguruar, duke u shërbyer vetëm atyre pacientëve që paguajnë për ilaçe, ndërsa farmacistët nuk janë paguar nga shteti dhe ata nuk mund të paguajnë në këtë mënyrë furnizuesit.

“Njerëzit po vuajnë, po shohim probleme dramatike çdo ditë, ne nga ana jonë nuk mund t’ju shërbejmë klientëve, sepse nuk jemi paguar”,
Shteti i detyrohet farmacive rreth 250 milionë euro, dhe farmacistët nuk mund të paguajnë kompanitë e medikamenteve, duke krijuar një rreth vicioz që ka rezultuar në vonesa në dhënien e ilaçeve.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, mungesa e fondeve vjen, pasi Greqia nuk mundi të marrë këstin e plotë prej fondit të shpëtimit nga BE dhe FMN. Kësti që u lëshua në maj, ishte një miliardë euro më pak.

Organizata kombëtare për sigurimin shëndetësor, përveç mungesës së fondeve nga Greqia, po vuan edhe kontributet e reduktuara për shkak të papunësisë së lartë. Papunësia ka arritur në një nivel rekord në 21% në muajin shkurt.
Presidenti i shoqatës së kompanive farmaceutike Konstantinos Fruzis shprehet:

“Situata është përkeqësuar gradualisht dhe ka arritur deri aty sa të jetë vërtet shpërthyese. Ne po përpiqemi të veprojmë në mënyrë të përgjegjeshme dhe të sigurojme furnizimin e medikamenteve tek populli grek. Gjithsesi edhe qeveria duhet të veprojë me përgjegjshmëri për të siguruar qëndrueshmërinë e zinxhirit të shpërndarjes, sepse ajo që po përpiqemi të shmangim me çdo kusht është një çrregullim në sistemin e shpërndarjes” -thotë Fruzis.
Jorgos Aritos, një pacient që vuan nga kanceri në prostatë, ka shkuar në Organizatën kombëtare për sigurimin shëndetësor për të marrë ilaçin e tij. Ai u vonua 5 ditë për ta marrë, pasi nuk mundi ta paguajë në farmaci. Por zyra e fondit të kujdesit shëndetësor e ktheu atë mbrapsht duke thënë se nuk e kishin si ilaç.
“Duhet ta kisha marrë ilaçin në 29 maj, tani është 5 qershor. Jam vonuar 5 ditë dhe duhet ta marr çdo 3 muaj”, thotë Haritos, duke shtuar se ka frike për shëndetin e tij. “Është kancer, si mund ta dija se nuk do të përhapet gjatë javës?”
Greqia miratoi reformat në sistemin shëndetësor këtë vit për të patur nën kontroll një sistem të korruptuar si dhe për të reduktuar kostot, që është pjesë e programit të kursimit.
Greqia shpenzon 25 miliardë euro në vit, gati 10% të PBB, tek shëndetësia dhe rreth ¼ e 11 milionë grekëve është në pension, duke i vënë një barrë të rëndë fondit të sigurimit, të cilat tani janë duke u mbajtur nga fondet e BE / FMN.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›