E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia, më e korruptuar se viti 2008

Raporti i SHKB-së: 148 oficerë, ose 1.5% e policisë është dërguar për ndjekje penale

Mbi 148 punonjës policie kanë përfunduar në prokurori gjatë një viti, duke inkriminuar 1.5% të të gjithë policisë, ku pjesa më e madhe e tyre akuzohen për korrupsion. Bëhet fjalë për 113 kallëzime, që kanë dërguar për ndjekje penale një numër më të lartë punonjësish policie, krahasuar me një vit më parë.

Analiza e SHKB-së

Numri i lartë i denoncimeve dhe puna e agjentëve të SHKB-së ka bërë që për vitin 2009 të rritet intensiteti i goditjes së fenomeneve negative në polici. Kështu, shërbimi që kontrollon shkeljet e ligjit nga ana e uniformave blu, për 12 muaj ka mundur të dërgojë në prokurori 113 kallëzime penale, në krahasim me 91 gjatë vitit 2008. Burimet nga drejtoria qendrore e SHKB-së shpjegojnë se në këto 113 raste janë përfshirë 148 oficerë policie, duke filluar që nga roli operacional deri te niveli i mesëm drejtues. Ndërkaq, veprat penale të konsumuara nga punonjësit e policisë janë të ndryshme, që nga shpërdorimi i detyrës, vjedhjet, trafiku, apo edhe korrupsioni. Veprat penale dhe pozicionet e secilit punonjës policie, që është dërguar për procedim në organet përkatëse të drejtësisë, renditen në statistikat e Drejtorisë së Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme. Sipas shifrave zyrtare, këto kallëzime janë depozituar në organin e prokurorisë që nga muaji janar deri në muajin dhjetor të vitit 2009.

Veprat korruptive

Specialistët e SHKB-së, të cilët tashmë kanë fituar edhe atributet e oficerit të policisë gjyqësore, duke pasur kështu të drejtën e arrestimeve në flagrancë, shpjegojnë se për korrupsion janë regjistruar 56 denoncime dhe janë dërguar për ndjekje penale 80 oficerë policie, ku është edhe numri më i lartë i punonjësve të policisë së akuzuar për një vepër penale. Nga këta, dy oficerë policie i përkasin rolit të mesëm drejtues, ndërkohë që 24 të tjerë, rolit të parë drejtues. Sipas të dhënave, pjesa dërrmuese janë të rolit operacional, që numërohen 54 vetë. Duke analizuar sërish policët e proceduar për korrupsion, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm shpjegon se janë arrestuar 15 oficerë policie, ndërkohë që 65 janë proceduar penalisht në gjendje të lirë dhe janë përjashtuar nga radhët e uniformave blu.

Veprat arbitrare

Ndërkaq, vendin e dytë e zë vepra penale e veprimeve arbitrare. Sipas të dhenve zyrtare, për veprime arbitrare janë regjistruar 35 kallëzime penale, të gjitha me denoncim nga njerëzit. Për këto 35 kallëzime janë dërguar për procedim penal 42 punonjës policie. Në këtë aspekt nuk ka pasur asnjë rast të rolit të mesëm drejtues, që aktualisht krahasohet me funksionin “shef sektori”, por ka pasur dhjetë oficerë policie të rolit të parë drejtues. Ndërsa për rolin operacional, burimet nga SHKB-ja tregojnë se janë dërguar për ndjekje penale 32 uniformave blu dhe në total, për veprime arbitrare janë arrestuar katër oficerë, ndërsa 36 janë lënë hetim në gjendje të lirë, por edhe këta janë liruar nga radhët e policisë.

Vepra të tjera

Ndërsa për veprat e tjera penale të konsumuara nga forcat policore, numri i denoncimeve ka qenë më i vogël në krahasim me korrupsionin dhe arbitraritetin. Nga të dhënat mësohet se numri i kallëzimeve penale të regjistruara është 22, ndërkohë që janë dërguar për procedim në gjendje të lirë 26 oficerë policie. Nga këta, tetë i përkasin rolit të parë drejtues dhe 18 janë të rolit operacional. Ndërsa në total, numri i kallëzime është 113, ku janë proceduar 148 punonjës policie. Dy prej këtyre punonjësve janë të rolit të mesëm drejtues, 42 të rolit të parë drejtues dhe 104 të rolit operacional.

Krahasimet e dy viteve

Në krahasim me vitin paraardhës, ka pasur rritje të punës së Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, por edhe rritje të numrit të efektivëve të përfshira në vepra të ndryshme penale. Kështu, në vitin 2008 janë regjistruar 91 kallëzime penale për 117 oficerë policie, ndërkohë që në vitin 2009 janë regjistruar 22 kallëzime më shumë me 148 oficerë policie të proceduar penalisht. Në vitin 2008 ka pasur 27 punonjës policie të arrestuar, ndërsa në vitin 2009 janë arrestuar vetëm 19 të tillë. Për veprat korruptive kanë qenë 47 raste me 62 punonjës policie dhe janë bërë 56 raste me 80 punonjës policie. Në këtë rast bie në sy se oficerët e SHKB-së kanë identifikuar më shumë raste korrupsioni në radhët e policisë gjatë vitit 2009 sesa gjatë vitit 2008, e cila mund të interpretohet si rritje e fuqisë zbuluese, por ndoshta edhe si rritje e tendencës për këtë vepër penale nga ana e punonjësve të policisë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›