E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, mbyllet televizioni ET1, përmirësohet ET3

ATHINE-Një nga tre televizionet publikë grekë, ET1 do të mbyllet. Lajmi është bërë i ditur nga shtypi grek, sipas të cilit vendimi i qeverisë do të shpallet zyrtarisht të premten.

ET1, NET dhe ET3 janë tre televizionet shteterore ne Greqi, nga të cilët do të mbeten vetëm dy, në kuadër të konsolidimit të plotë të televizionit publik grek dhe shkurtimit të shpenzimeve.

Sipas shtypit në vend, vendimi në fjalë do të deklarohet zyrtarisht të premten nga Ministri i Shtetit dhe zëdhënësi i qeverisë, Elias Mossialos, që do të shpallë mbylljen e ET1 dhe përmirësimin e kanalit shtetëror të Selanikut ET3. Ky televizion do të fokusohet më shumë në lajmet e rajonit dhe kulturës, do të shfrytëzohet për qëllime kombëtare, dhe do t’iu nënshtrohet ndryshimeve rrënjësore në menaxhim për reduktimin e kostove.
Mësohet se pasuritë ET1 do t’iu ndahen dy kanaleve të tjera ET3 dhe NET, ndërsa sic u shpreh ministri, “frekuenca e televizionit ET1 do të mbetet pronë e popullit grek”.

Sipas skemës së qeverisë, do t’iu kërkohet largimi në mënyrë vullnetare më shumë se 500 të punësuarve, kryesisht gazetarë, ndërkohë që do të “ngrijnë” rekrutimet e reja në punë.
Të paqarta janë ende kriteret mbi të cilat do të përzgjidhen punonjësit, që do të ngelen në punë.

Ndërkohë, nga 19 radio stacione rajonale shtetërore do të mbeten vetëm 9.

Ministri Mosialos ka diskutuar tashmë me Kryeministrin për të gjitha ndryshimet që ka planifikuar dhe synon të aplikojë para fundit të verës.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›