E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, mot i keq, temperatura të ulëta, shi, borë, erëra të forta

ATHINE - Moti i keq ka përfshirë Greqinë, me temperatura të ulëta, shi, borë dhe erëra të forta. 

Më shumë se 100 thirrje ka marrë Shërbimi i zjarrfikësve në Atikë, nga qytetarë që njoftonin për rrëzime pemësh në mes të zonave të banuara dhe rënie objektesh të tjera, për shkak të erërave të forta dhe stuhive që vazhdojnë të mbizotërojnë në vend. 

Në shumë zona ka edhe dëborë dhe në rrugë lëvizet vetëm me zinxhirë. 

Në qytetin e Patras deti hyri deri në tokë duke shkaktuar përmbytje, duke mbuluar makina madje edhe disa shtëpi. 

Shpejtësia e erës ka kaluar 100 km/h dhe kjo bëri që të pengohet puna në portet e Pireut, Rafinës dhe Lavrionit, por sipas njoftimeve, shpresohet që sot nisjet e anijeve të kryhen sipas orareve, pasi erërat do të qetësohen. 

Sot temperatura do të bjerë ndjeshëm nga veriu në jug, ndërsa në mëngjes dhe natën duke u gdhirë e diel, do të ketë ngrica në pjesën qendrore dhe veriore. 

Moti pritet të përmirësohet të martën, por do ruhen temperaturat e ulëta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›