E Diel, 1 Nëntor 2026

Greqi ndahet nga jeta regjisori Teo Angelopulos

Teodoros Angelopulos, një nga emrat më të mëdhenj të kinematografisë botërore, është ndarë nga jeta mesnatën e të martës, pas aksidentit që kishte pësuar pak orë më parë, në Keracini. Aty ndodhej për xhirimin e filmit të ri të tij, "Deti tjetër" dhe po kalonte mespërmes rrugës automobilistike, kur një motoçikletë e goditi duke i shkaktuar plagë të rënda, që ishin fatale për jetën e artistit 77 vjeçar.
Ishte regjisori më i madh grek, i laureuar me një sërë çmimesh të rëndësishme ndërkombëtare. Krijues i "Teatrit shetitës", i "Aleksandrit të Madh" dhe filmave të tjerë epiko-lirikë, që e bënë të njohur Greqinë në të gjithë botën, për më shumë se katër dekada.
Angelopulos kishte braktisur studimet në fakultetin juridik të Athinës dhe në vitin 1961 shkoi në Paris, ku fillimisht ndoqi studimet në universitetin e Sorbonës për filologji dhe filmografi, dhe më pas shkollën e kinematografisë.
Me kinematografinë nisi të merrej më 1965 dhe tre vjet më vonë prezantoi filmin e tij të parë, me metrazh të shkurtër, "Emisioni". Në 1970 filmi i tij i parë me metrazh të gjatë, "Rikonstruksioni", fitoi çmimin e parë në festivalin kinematografik të Selanikut, ndërsa shënoi "agimin" e kinemasë së re greke. Që atëherë, filmat e tij janë paraqitur në shumë festivale ndërkombëtare dhe kanë fituar shumë çmime, duke e bërë në nivel botëror një nga regjisorët më të mirë të kinematografisë moderne.
Në vitin 1988 fitoi Palmën e Artë në Festivalin e Kanës për filmin "Një përjetësi dhe një ditë".

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›