E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, negociata për ndihmë dhe protesta në shesh

BRUKSEL- Nesër në Bruksel mblidhen ministrat e Financave të Eurozonës, të cilët do të diskutojnë mbi paketën e dytë të ndihmës për Greqinë dhe për pjesëmarrjen e privatëve në shlyerjen e borxhit.

Sipas ministrit belg të Financave, paketa e re e ndihmës mund të arrijë deri në 105 miliardë €, prej të cilave 80 miliardë do jepen nga FMN e BE, ndërsa 25 miliardë të jetë angazhimi nga kreditorët privatë.

Në një tjetër zhvillim të pritshëm, kryeministri Papandreu do takojë të hënën në Bruksel presidentin e Komisionit Evropian Jose Manuel Barroso dhe kreun e Eurogrupit Zhan-Klod Junker.

Ndërsa peisazhi politik në Greqi ka ndryshuar fytyrë, protestuesit duket se nuk ndryshojnë taktikë. Tubimi paqësor i “qytetarëve të zemëruar” vazhdon në sheshin qendror të Athinës, sepse sipas tyre, ndërrimi i fytyrave në qeveri nuk do të thotë ndërrim i politikës.
Qytetarët janë të vendosur të mbeten në rrugë deri në përmbysjen e plotë të qeverisë dhe anullimin e memorandumit dhe kanë vendosur të intensifikojnë protestat e tyre.
Përpara parlamentit ata hedhin slogane për të shprehur kundërshtimin e tyre ndaj politikës së qeverisë ekonomike.

Dje pasdite në shesh mijëra njerëz, dëgjuan edhe fjalët e Manolis Glezos, politikanit të njohur grek, pjesëmarrës në rezistencën e luftës së dytë botërore.
Sot 89 vjecar, një figurë e adhuruar nga populli grek, Manolis Glezos, përshëndeti qytetarët e zemëruar dhe iu premtoi atyre mbështetjen e tij në përpjekjet e përbashkëta për një Greqi të re.

Në sheshin Sintagma, mes protestuesve ishin edhe disa qytetarë sirianë, të cilët kanë marrë pjesë në tubimet për krijimin e një sistemi demokratik në Siri. Ata u bashkuan me protestuesit në shenjë solidariteti për kauzën e tyre.
(BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›