E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, ora “zero”, për nënshkrimin e marrëveshjes

ATHINE - Pritet të finalizohet këtë pasdite në Athinë, Memorandumi i masave dhe marrëveshja e re e kredisë. Pas disa shtyrjeve të takimit vendimtar të kryeministrit me liderët politikë, me shumë gjasë, ai do të zhvillohet sot në ora 16:00.

Jorgos Papandreu, Antonis Samaras dhe George Karaxhaferis do të jenë sërish sot në zyrën e kryeministrit për të thënë "Po" ose "Jo" për masat e ashpra të kursimit, që rrjedhin nga marrëveshja e kredisë së re prej 130 miliardë dollarësh.

Atyre iu kërkohet të vendosin nëse do të mbështesin e votojnë masat shtrënguese dhe shkurtimet e kërkuara nga huadhënësit, që nënkupton shpëtim të vendit, apo do të refuzojnë masat, gjë që nënkupton falimentimin.

Trojka ka kërkuar të takohet me udhëheqësit e partive politike që mbështesin qeverinë, që t’iu shpjegojë kërkesat e saj, në një tekst 16 faqe, përpara takimit të tyre me Kryeministrin.

Ndërkohë gjatë gjithë natës së shkuar deri në orën 3 të mëngjesit, kryeministri Papadhimos dhe ministri i financave Venizelos zhvilluan një takim tjetër me Treshen dhe sërish tre cështjet më kritike që pretendojnë kreditorët, janë shkurtimet në sektorin publik, ulja e pagës minimale dhe pensioneve suplementare, si mënyrë për të rritur kursimet e për të pakësuar borxhin.

Në krahun tjetër, Greqia është paralizuar sot, për shkak të grevës 24 orëshe që kanë organizuar sindikatat e sektorit publik dhe privat, në përgjigje të negociatave mes qeverisë dhe trojkës. Sindikatat kanë bërë thirrje gjithashtu për tubime në sheshin “Sintagma” sot paradite.

Në grevë janë përfshirë, transporti publik, portet, aeroportet, hekurudhat, mësimdhënësit në fakultete, punonjësit e bankës, zyrtarë të gjykatave, por edhe tregtarët e vegjël, ndërsa spitalet do punojnë me personel të kufizuar. 

Autobusët, metrotë e tramvajet do të lëvizin vetëm për të akomoduar punonjës që dëshirojnë të marrin pjesë në tubimin dhe organizimin e sindikatave.

Në protestën e tyre sindikatat thonë se masat e Trojkës e cojnë në recesion shoqërinë dhe ekonominë greke.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›