E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, parlamenti miraton buxhetin e vitit 2012

ATHINE - Me fjalën e kryeministrit Lukas Papadhimos, përfundoi debati për buxhetin e vitit 2012, i cili u miratua pas mesnate nga Dhoma e Parlamentit.

Në orën 1:30 të së mërkurës, 258 deputetë votuan pro buxhetit, ndërsa 41 prej tyre votuan kundër.

"Ne kemi aftësi dhe guxim për një përpjekje kombëtare", deklaroi nga podiumi i Parlamentit kryeministri Papadhimos, i cili shtoi se përpjekjet kombëtare do të kërkojnë disa vjet.

"Dekada e tanishme mund të jetë një dekadë për të fituar," tha ai, duke theksuar se buxheti për vitin 2012 është i vështirë, ka objektiva ambicioze, të cilat do të zbatohen në një mjedis të karakterizuar me shumë të panjohura.

"Rrethanat e bëjnë të nevojshme për ta kapërcyer situatën forcat tona," u shpreh Papadhimos, duke theksuar se përgjegjësia është e të gjithëve.

"Historia nuk do të na falë nëse braktisim betejën për të ardhmen," vijoi kryeministri, duke shtuar se “suksesi do të vendosë bazat për tejkalimin e krizës, e cila nuk është si një stuhi që kalon. Kriza do të zgjasë, sepse është rezultat i gabimeve ose mungesave që cuan në akumulimin e borxhit publik", tha ai.

Papadhimos pohoi se i kupton shqetësimet e qytetarëve që i shohin të ardhurat në rënie dhe papunësinë në rritje, por shtoi se "nuk ka zgjidhje të lehtë."

Lidhur me opinionin për një kthesë në rritje në vitin 2013, kryeministri pranoi se paqartësitë janë të mëdha, por argumentoi se ka shumë që e mbështesin këtë parashikim.

"Greqia është dhe do të mbetet pjesë e Evropës, nuk do të humbasë luftën e madhe për të ruajtur pozicionin në Evropë", tha ai, duke theksuar se “bashkimi në euro do të thotë detyrime”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›