E Diel, 1 Nëntor 2026

Greqi, prej 15 ditësh dhunë raciste kundra emigrantëve

Athinë -Rreth 14 mijë policë greke patrullojnë çdo ditë në rrugët e Greqisë për të kontrolluar emigrantët e ligjshëm nga ata klandestinë. Një deklaratë që u bë e njohur mbrëmë nga z/ministri i Punëve të Brendshme z.Markojanakis në televizionin shtetëror “Net”. Kur bëhet fjalë për keqtrajtimet e emigrantëve asnjë politikan nuk ka patur kurajën që të prekë sa do pak këtë temë e cila kohët e fundit po merr përmasa të mëdha. Po edhe kur ndonjë organizatë antiraciste ka patur kurajën e ka ngritur zërin, nuk është përkrahur.

Po edhe pse në rrugë janë hedhur 14 mijë police, asnjë prej tyre nuk ka bërë të mundur të bjerrë në gjurmët e grupeve raciste, që veprojnë në mes të ditës në këto rrugë, të organizuar e të armatosur, duke dhunuar dhe gjymtuar emigrantët. Nuk bëhet fjalë vetëm për një sulm të organizuar kundër emigrantëve, por bëhet fjalë për dhunë të organizuar që vazhdon prej 15 ditësh në këto rrugë.

Nga këto sulme 20 emigrantë janë keqtrajtuar dhe dhunuar fizikisht nga mania e këtyre grupeve raciste nën hundën e policisë vendase. Çdo ditë herët në mëngjes grupe të rinjsh prej 30 personash të armatosur me mjete metalike, me makina dhe motorë rrahin dhe keqtrajtojnë emigrantët rrugëve dhe më pas i ndjekin deri në shtëpitë e tyre, duke i shkatërruar çdo gjë qe gjejnë përpara.

Grupe të tjera prej 5-6 të rinjsh të armatosur me mjete të forta vdekjeprurëse, i bëjnë pritë emigrantëve në stacionet e autobusëve qysh herët në mëngjes dhe i keqtrajtojnë rëndë. Grupe të tjera me shishe në duar futen brenda në autobuzë urbane dhe i thyejnë në kokë shishen. Ndërsa grupe të tjera të armatosur me thika në duar i presin kur këta zbresin nga autobusi dhe u sulen emigrantëve. Shumë prej emigrantëve përfundojnë në spitale për të marrë ndihmat mjekësore.

Rahmed Sumbhan , 27 vjeçar tregon për gazetën “Eleftherotipia” se: jeton në Greqi që prej 5 vjetësh. Mbrëmë në orën 4.30 të mëngjesit duke shkuar në punë, dy të rinj të hipur në një motor, të ndihmuar edhe nga tre të tjerë që po ecnin në këmbë e kanë rrahur në rrugën Elfthero Venizelos, (një rrugë kryesore) . I gjakosur humb ndjenjat dhe bie në tokë. Një taksixhi ndalon taksinë dhe bën të mundur që ti shpëtoj jetën, nga goditjet e të rinjve.

Numri më i madh i sulmeve bëhet në ato periferitë e Nea Jonias, një zone e ndërtuar kryesisht për grekët e dëbuar nga Turqia më 1921. Nga komuniteti i emigrantëve pakistanezë mësohet se edhe kur emigrantët shkojnë në këto rajone të policisë për të bërë kallëzim për keqtrajtim, policia nuk i lejon këta të fundit të futen brenda ambienteve të godinës. Po sikur të mos mjaftojë kjo emigrantët keqtrajtohen dhe goditen nga vetë policët.

Javën e kaluar një emigrant është shtruar në spital nga dhuna policore, po të njëjtën fat pati edhe një student grek që kishte ardhur për pushime, por që studionte në Gjermani.
Ditën e diel pasdite në qytetin Nea Jonia të Athinës, emigrantët e komunitetit pakistanez do të bëjnë një protestë kundër dhunës raciste. Është për të ardhur keq kur shikon se ku po katandiset ky vend që më shumë se kushdo tjetër di se çfarë do të thotë emigracion.

Si emigrant më vjen keq përse hesht ky vend dhe se çfarë do të tregojë me heshtjen e tij, kur shikon se për dy javë rresht emigrantët e pambrojtur po bien nga dita në ditë pre e sulmeve raciste. Ku po shkon ky vend i BE, vendi ku lindi demokracia?.

Si ka mundësi që prej 15 ditësh në rrugët e Athinës grupe të rinjsh vendas sulmojnë të pa shqetësuar nga askush emigrantë?.
Si ka mundësi që qeveria Karamanlis të heshtë e të mos dënojë këto sulme raciste të një pjesë të qytetarëve të tij kundra emigrantëve të pambrojtur?.

Si ka mundësi që këto sulme raciste ndodhin në një kohë, kur policia vendase patrullon çdo metër të rrugëve për të kapur emigrantë klandestinë?.

Shpëtim Zinxhiria nga Athina

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›