E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, protesta të punëtorëve ditën e 1 Majit

ATHINE-Sot në ditën ndërkombëtare të punonjësve, në Greqi u zhvilluan tubime e protesta, organizuar nga sindikatat e punonjësve dhe të mbështetura nga partitë e majta parlamentare.

Në Athinë demonstrata u zhvillua në qendrën e qytetit, me parulla kundër shkurtimit të pagave dhe pensioneve si dhe kundër planit të privatizimit të ndërmarrjeve shtetërore.

Në sheshin “Sintagma” demonstruesit u mblodhën pranë Ambasadës amerikane, ndërsa më parë kishin hedhur bojë të kuqe jashtë Ambasadës franceze, duke protestuar në këtë mënyrë kundër sulmit ajror të Aleancës mbi Libi, grumbullime ku ndodhej edhe sekretarja e Partisë Komuniste Aleka Papariga. Ndërkohë situata u tensionua, kur policia i pengoi protestuesit t’i afroheshin godinës ku janë zyrat e Bashkimit Evropian.
Pastaj ata u drejtuan nga rruga e Universitetit drejt sheshit Omonia, ku hodhën shishe në drejtim të policisë dhe iu vunë zjarrin dhjetëra koshave të mbeturinave që ndodheshin në rrugë.

Përfaqësues të sindikatave thanë se “1 Maji 2011 i gjen punëtorët në Greqi, të ballafaquar me papunësi dhe varfëri masive, në një krizë social-ekonomike, me një shpërbërje të të gjitha formave të sigurimeve shoqërore, të mirëqenies dhe të shtetit social".

Në deklaratat e tyre kryetarët e dy partive të majta iu bënë thirrje protestuesve dhe drejtuesve të sindikatave, të bashkohen e të ndjekin shembullin e banorëve të Kerateas, të cilët protestojnë edhe duke u përleshur me policinë, për të mos lejuar ngritjen e impiantit të mbeturinave në qytetin e tyre.
Në dy tubime u përfshinë edhe punonjësit e Selanikut në ditën e punës.
Trafiku i automjeteve në këto qytete u kufizua për disa orë.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›