E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, shkurtimet e reja nxisin sërish protesta

Sindikata më e madhe publike, grevë më 16 mars

Sindikata më e madhe e sektorit publik grek ka bërë thirrje për një protestë masive më 16 mars kundër masave të reja shtrënguese që pritet të marrë qeveria, në vijim të kërkesave të fundit të Brukselit. Dy ditë më parë, Brukseli i kërkoi Athinës që për të ulur brenda afatit të përcaktuar deficitin e lartë buxhetor, duhet të merrte masa shtesë në uljen e shpenzimeve. Ky duket se është një parakusht që i vihet Greqisë për të marrë ndoshta më pas edhe një mbështetje të mundshme financiare, megjithëse deri më tani asgjë nuk është zyrtare.

Kryeministri Papandreu ndodhet nën presion të madh për të plotësuar kërkesat e europianëve që kanë të bëjnë me identifikimin e 4.8 miliardë eurove në kursime, para takimit që do të bëjë të premten në Berlin, për t’u takuar me krerët e shtetit. Ky është edhe thelbi i mbledhjes së kabinetit qeveritar që do të zhvillohet sot. Burimet qeveritare kanë bërë të ditur se Papandreu, pas mesazhit të fundit nga Brukseli, po sheh mundësinë e rritjes së Taksës së Vlerës së Shtuar, shtimin e çmimit të karburanteve dhe shkurtimin e disa pagave në sektorin publik. Por për këtë i duhet që të bisedojë me të gjithë faktorët brenda partisë së tij, PASK. “Askush nuk e di se çfarë saktësisht do të vendosë Kryeministri, megjithatë gjithçka do të bëhet e qartë për pak ditë”, ka bërë të ditur një zyrtar i lartë i qeverisë greke. Ndërkaq, më shumë se gjysma e popullsisë miraton masat e marra nga qeveria për reduktimin e deficitit buxhetor, por sindikata më e madhe e sektorit publik tha se do të vazhdojë t’u kundërvihet shkurtimeve të propozuara në fronte të ndryshme. “Bashkimi Europian dhe qeveria duhet që të kuptojnë se ne do të vazhdojmë të dalim në rrugë, derisa ta detyrojmë qeverinë që të heqë dorë nga masat e rënda e me pasoja sociale që kërkon të ndërmarrë në kurriz të më të varfërve dhe që nuk japin një zgjidhje përfundimtare të problemeve tona ekonomike”, ka bërë të ditur zëvendëspresidenti i sindikatës, i cili ka shpallur edhe protestën masive më 16 mars.

Së bashku me sindikata të tjera të sektorit privat, të gjitha së bashku këto organizata përfaqësojnë 2.5 milionë punonjës, ose gjysmën e forcës punëtore të Greqisë. Taksat më të rënda do t’i kenë drejtuesit e taksive dhe pikërisht këta kanë bllokuar trafikun dje në Athinë, në sheshin para Parlamentit, duke hedhur parullën: “Mos na sakrifikoni për hir të të pasurve” dhe “Ata që i humbën paratë, duhet të paguajnë”. Ishte Olli Rehn, shefi i financave të Bashkimit Europian, ai që dy ditë më parë bëri thirrje për ndërmarrjen e masave të tjera shtrënguese nga ana e Athinës, në mënyrë që të realizojë zotimet e ndërmarra për të ulur buxhetin.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›