Gjykata e Shkodrës dënon tre komisionerë të PS-së

Debati për transparencën e zgjedhjeve mban ende të mbërthyer jetën politike, autoritetet e drejtësisë po nxjerrin dita-ditës fakte për problemet e 28 qershorit dhe po vënë para ligjit fajtorët. Gjykata e Rrethit Gjyqësor të Shkodrës ka dënuar dje me 90 mijë lekë gjobë komisionerët e Partisë Socialiste në fshatin Juban gjatë zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2009, pasi janë larguar, duke braktisur procesin e votimit në momentin që kanë konstatuar 27 fletë votimi më tepër se numri i votuesve. Gjykata ka deklaruar fajtorë të tre komisionerët socialistë të qendrës së votimit nr. 342 të fshatit Juban në Komunën Guri i Zi, për veprën penale të shpërdorimit të detyrës, falsifikimit të dokumenteve dhe braktisjes së qendrës së votimit. Vendimi i Shkallës së Parë të Gjyqësorit është marrë dje, ndërsa avokati i çështjes Ardian Hajdari ka shfaqur pretendimin se ky vendim është marrë pa konsultën paraprake me provat e paraqitura nga mbrojtja. Procesi gjyqësor drejtohej nga gjykatësi Aleks Nikolli, i cili ka vendosur gjobitjen e tre komisionerëve të Partisë Socialiste me 90 mijë lekë të reja. Edmond Pjetraj, Pjetër Lazri dhe Aurel Hila ishin anëtarë të komisionit të qendrës së votimit nr. 342 në fshatin Juban, njëri prej të cilëve ishte dhe kryetar i komisionit. Gjatë procesit të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit, në këtë qendër votimi rezultuan 27 fletë votimi më tepër se numri i zgjedhësve. Ky ka qenë shkaku i ndërprerjes së procesit të votimit për më se dy orë. Pasi kanë njoftuar KZAZ-në për këtë problem, komisionerët e Partisë Socialiste kanë kërkuar mbylljen e procesit, kërkesë e cila nuk u është pranuar. Në këtë moment ata janë larguar nga qendra e votimit, ndërsa procesi ka vijuar dhe 100 fletë votimi në këtë kuti kanë qenë pa vulën e kryetarit të komisionit. Kjo qendër votimi u refuzua të numërohej në QNV nr. 4 të Bushatit dhe me vonë u konsiderua e pavlefshme me vendim të KQZ-së dhe Kolegjit Zgjedhor. Pavarësisht vendimeve mbi pavlefshmërinë e procesit, Gjykata e Shkodrës dënoi vetëm tre komisionerët e majtë, ndërsa komisionerët e djathtë u thirrën për të dëshmuar, pa asnjë akuzë në ngarkim të tyre.
Ndërkohë, në Gjykatën e Fierit është dorëzuar dje dosja gjyqësore e çelur për zgjedhjet në Komunën Ruzhdie. Pesë komisionerë të Partisë Demokratike dhe asaj Republikane, mes të cilëve edhe kryetari, do të përgjigjen për shkeljet e rënda në procesin zgjedhor. Bujar Kararaj, Pëllumb Myrtaj, Robert Myftaraj, Veledin Myftaraj dhe Shezai Kararaj janë pesë anëtarët e Komisionit të Qendrës së Votimit 3052 të vënë nën akuzë. Tre prej tyre janë përfaqësues të PD-së dhe dy të PR-së. I pandehuri Bujar Kararaj ka qenë kryetar i këtij komisioni, ndërsa Robert Myrtaj nënkryetar. Padia ndaj komisionerëve të Ruzhdies është ngritur nga KQZ pas një ankese të PS-së, ndërkohë që ka pasur padi edhe nga disa banorë të Ruzhdies. Katër veprat penale të ngritura për pesë komisionerët e djathtë janë “shpërdorim me detyrën i kryer në bashkëpunim”, “falsifikim i rezultatit të zgjedhjeve në bashkëpunim”, “votim më shumë se një herë në bashkëpunim” dhe “shkelje e fshehtësisë së votimit”. Për këto vepra penale, ligji parashikon dënimin deri në shtatë vjet burg dhe gjobë.