Pacientët në rrethe, konsulta në grup mjekësh
Shqipëria kopjon vendet nordike, ose të paktën kështu e ka “justifikuar” ministri i Shëndetësisë udhëzimin më të ri, nisur në çdo spital rajonal në vend. Sipas këtij udhëzimi, pacientët të cilët duan të vijnë në Tiranë për trajtim, konsulta, apo për ekzaminime të specializuara, do të duhet të kenë një raport të firmosur e vulosur jo vetëm nga një mjek, por nga një grup mjekësh. Kështu, konsultat për persona me probleme komplekse do të kryhen në grup, një komision mjekësor, me dy, tre apo më shumë mjekë të spitalit. Më pas, nëse sipas vlerësimit të tyre lipset nevoja që pacienti të ketë nevojë për një trajtim më të specializuar, në një qendër të nivelit terciar, si “Nënë Tereza”, atëherë i sëmuri do të vijë në Tiranë.
Mund të tingëllojë e çuditshme, njësoj si emisioni i dikurshëm “Ethet e së premtes mbrëma”, por vlerësimi nëse pacienti do të vijë në spitalin e kryeqytetit apo jo, do të jepet njësoj si në këtë transmetim, në grup, nga një komision i posaçëm specialistësh të specialiteteve të ndryshme në mjekësi.
UdhëzimiShkresa zyrtare është dërguar javën e kaluar dhe pritet të nisë zbatimi i saj, të paktën deri në një udhëzim tjetër, i cili do ta përforcojë këtë rregull të ri, apo do ta ndryshojë më tej atë. “Vendosja e këtij rregulli është huazuar nga vendet nordike, mjekët e të cilëve përdorin të njëjtën metodë për të diagnostikuar dhe për të vlerësuar më mirë një pacient. Konsulta të zhvillohet në grup”, ka sqaruar zyrtarisht Ministria e Shëndetësisë. Sipas udhëzimit të fundit të këtij dikasteri, pritet që kjo të sjellë dy benefite: eliminim të mëtejshëm të fluksit të pacientëve në qendrën spitalore “Nënë Tereza”, me shërbime “rutinë” të cilat mund të kryhen edhe në spitalet rajonale. Po ashtu pritet që kjo të sjellë edhe më shumë komoditet për pacientët, të cilët do të marrin një shërbim më të kualifikuar më pranë rajonit ku jetojnë.
KërkesaKërkesa për t’u trajtuar në spitalin e Tiranës ka ardhur gjithmonë duke u rritur. Pacientët nga rrethet kërkojnë të ekzaminohen, vizitohen, operohen nga mjekët e Tiranës edhe atëherë kur bëhet fjalë për probleme të thjeshta shëndetësore, apo ndërhyrje të konsideruara pa ndonjë shkallë të lartë vështirësie. Tani që të marrin shërbim të specializuar, të nivelit terciar, do të duhet të marrin raportin e konsultës në grup dhe më pas të trajtohen nga spitali qendror i kryeqytetit.
Brenda një viti në QSUT ka pasur rreth 28 mijë pacientë të shtruar në Urgjencë, ndërkohë që në këtë repart janë bërë mbi 166 mijë konsulta. Rreth 1 për qind e pacientëve kanë gjetur vdekjen në këtë shërbim. Brenda dhjetë muajve janë shtruar rreth 22 mijë raste të ardhura nga rrethet. Janë kryer mbi 6 mijë operacione vetëm nga banorët e Tiranës.
#