E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, situatë kritike nga zjarret, digjen mijëra ha pyje

ATHINE-Tepër e rënduar paraqitet situata e zjarreve në Greqi. Katastrofë ekologjike cilësohet ajo që po ndodh në Evro, ku janë djegur më shumë se 30 000 hektarë pyje në një rreze më shumë se 5 km, ndërsa zjarri vazhdon të djegë zonën.
Në terreen operojnë qindra zjarrfikëse, dhjetëra automjete, avionë dhe helikopterë.
Autoritetet thonë se situata është tragjike dhe se përpjekjet mbinjerëzore të forcave të Shërbimit të Zjarrfikëses nuk kanë dhënë ende rezultat. Për këtë arsye është aktivizuar Mekanizmi Europian i Mbrojtjes Civile dhe pritet të mbërrijnë 4 avionë për shuarjen e zjarreve nga Franca dhe Spanja.
Në Tripoli zjarri ka mbërritur deri në oborret e shtëpive, ku disa fshatra janë evakuuar.
Ndërkohë prej orësh të tëra vazhdojnë të përhapen flakët e zjarrit në pyjet periferike të Sheikh Sou, (Cezma e Sheikut), në Selanik. Në vendngjarje janë forcat e zjarrfikësve me gjithë mjetet e tyre por autoritetet bëjnë thirrje për ndihmë. Policia bllokoi për më shumë se një orë trafikun në rrugën-unazë që kalon pranë këtij pylli për të lehtësuar kalimin e automjeteve zjarrfikëse. Zjarri ringjalli momente ankthi te banorët e Selanikut, sepse disa vite më parë një zjarr që shpërtheu në këtë pyll, dogji më shumë se gjysmën e sipërfaqes së tij.
Ndërkaq raportohet edhe për vatra të tjera zjarri në shumë zona të tjera të vendit, të cilat tashmë janë vënë nën kontroll.
Sipas Sekretariatit të Përgjithshëm për Mbrojtjen Civile, për shkak të erërave të forta rrezikohen ende shumë sipërfaqe pyjore në vend që nga rajoni i Atikës, e deri në ishujt grekë dhe iu bëhet thirrje departamenteve për mbrojtjen nga zjarri të jenë vigjilentë, sidomos deri të dielën, kur erërat parashikohen të jenë të forta.
Gjithashtu iu bëhet thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm dhe të mos ndezin zjarre për asnjë arsye.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›