E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuzhe zbardh listën, kemi një mesfushë "katastrofë"

TIRANE-Trajneri i kombëtares shqiptare Josip Kuzhe ka zbardhur listën me 23 futbollistë për dy sfidat e radhës me Francën dhe Luksemburgun, në program më 2 dhe 6 shtator. Si zakonisht, tekniku kuqezi ka bërë shumë pak ndryshime nga skuadra që ka thirrur edhe në takimet e kaluara, ndërkohë që dy hyrjet e reja janë portieri Orges Shehi si i tretë dhe sulmuesi Ahmed Januzi. Gardiani i Skënderbeut ka zënë vendin e lënë bosh nga Arjan Beqaj, i cili vetëm pak ditë më parë deklaroi tërheqjen nga futbolli i luajtur. Ndërsa Januzi ka qenë heroi i Vorskla Poltavës në kualifikimin e saj në fazën në grupe të Europa League dhe Kuzhe nuk ka ngurruar t'i ofrojë një vend në ekip. Sa i përket pjesës tjetër të lojtarëve, ajo është thuajse identike me ndeshjet e kaluara, përveç mungesës së mbrojtësit Andi Lila, i cili është i dënuar nga UEFA me dy ndeshje për shkak të kartonit të kuq të marrë ndaj Bosnje-Hercegovinës në muajin qershor. Kështu, përfaqësueseses nuk do t'i mungojnë emra senatorësh si Lala, Skela, Duro, Bogdani, Salihi, Cana apo Curri.
Mesfusha
Në prag të dy ndeshjeve të rëndësishme për Euro 2012, ajo që bie në sy në listën e përpiluar nga Josip Kuzhe, është fakti se Shqipëria ka probleme të mëdha në mesfushë. Nëse në mbrojtje, emra si Cana, Curri, Dallku e Vangjeli, të japin siguri, ndryshe qëndron puna me repartin më nevralgjik të ekipit. Kuzhe ka thirrur kapitenin Lala, gjithnjë i domosdoshëm në ekip dhe që është pjesë e Hanoverit, ndërsa Skela e Duro janë dy lojtarë që kanë shumë pak minuta në këmbët e tyre dhe që u duhet të përballen me emra si Riberi, Maluda, Nasri apo Valbuena. Ata janë ende pa skuadër, por sërish e gjejnë veten në ekip. I vetmi që të bën të shpresosh pak për formën është Ervin Bulku, ndërkohë që duke parë problemet me anën fizike, Kuzhe mund të hedhë në fushë emra si Agolli apo Muzaka nga krahët. Gjithsesi, duke parë fiksimet e trajnerit kroat, duket e sigurt se ai do të luajë me të zakonshmit Duro, Skela, Bulku e Agolli.
Mungon Roshi
Një mister i madh duket se rrethon Odise Roshin, mesfushorin shqiptar që në muajin qershor u transferua te Këlni në Bundesligën gjermane. Fieraku ka luajtur pak minuta, ndërkohë që Kuzhe e ka injoruar totalisht në grumbullimet e fundit. "Ai duhet të jetë pjesë e grupit, pasi ka bërë një hap të rëndësishëm në karrierë dhe luan në një nga kampionatet më të fortë të Evropës", thotë Adrian Aliaj, menaxheri i Roshit. Përpos kritikave, Kuzhe i ka besuar instiktit të tij, duke mos preferuar sërish mesfushorin e krahut të djathtë.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›