E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, sot ngjarje me rëndësi në Athinë, Uashington dhe Hagë

ATHINE - Me vizitën dhe takimet e zëvendëspresidentit amerikan Joe Biden në Athinë, fillon një javë me zhvillime shumë të rëndësishme.

Z. Biden do të përcjellë sot në Athinë shqetësimin e Shteteve të Bashkuara për krizën e zgjatur në Eurozonë si dhe mbështetjen e Uashingtonit për përpjekjet e qeverisë greke, reformat dhe paketën e ndihmës, nëpërmjet financimit të FMN-së, ku SHBA është aksioneri më i madh.

Në të njëjtën kohë, sot në Uashington mblidhet Bordi Ekzekutiv i FMN-së për të miratuar, pas marrëveshjes të eurozonës, lirimin e këstit të gjashtë për Greqinë dhe lëvrimin e parave më herët se më 15 dhjetori. 

Duke ardhur nga Turqia, z. Biden mbart qëndrimin e udhëheqjes turke, Presidentit turk dhe Kryeministrit, për zgjidhjen e problemit të Qipros. SHBA kërkon një marrëveshje për Qipron, në gjysmën e parë të vitit 2012. 

Në axhendën e bisedimeve të SHBA-Greqi është edhe çështja e Shkupit, pikërisht sot, ditën kur pritet të shpallet vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, lidhur me padinë e Shkupit kundër Greqisë, për shkelje të marrëveshjes së përkohshme. 

Analistët thonë se qeveria e Shkupit do ta shfrytëzojë vendimin sido që të jetë, për të sjellë në vëmendje çështjen e integrimit në BE, që siç dihet u bllokua nga Greqia, në qoftë se nuk zgjidhet çështja e emrit. 

Sipas programit, zëvendëspresidenti amerikan Joe Biden do të pritet në 11:00 nga Presidenti grek Karolos Papulias. Ai do të takohet më pas me kryeministrin Papadhimos dhe liderët politikë Papandreu dhe Samaras.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›