TKZ dhe “Kurajo”, ndeshje bamirësie për jetimët
Të ardhurat që do të përfitohen nga ky aktivitet do shkojnë për bamirësi në shtëpinë e fëmijës, “Zyber Hallulli” në Tiranë
Tifozët Kuq e Zi dhe Qendra Mediatike “Kurajo” kanë marrë përsipër zhvillimin e një aktiviteti bamirësie.
Në datën 9 dhjetor ora 14.00 në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” do të zhvillohet një ndeshje futbolli mes tyre, për t’u ardhur në ndihmë fëmijëve jetimë.
Përfaqësuesi i gazetarëve, Hamza Hatika informoi me detaje rreth aktivitetit të bamirësisë, duke theksuar se të ardhurat nga ndeshja dhe koncerti me këngëtarë, do shkojnë për shtëpinë e fëmijës “Zyber Hallulli”, në Tiranë.
“Stadiumi për ndeshjen mes Tifozët Kuq e Zi dhe Qendrës Mediatike ‘Kurajo’, do të jetë i hapur (falas) për fëmijët deri në moshën 15 vjeç, si edhe për pensionistët. Ndërsa për personat e tjerë bileta kushton vetëm 200 lekë. Ftojmë masmedian për të ndjekur këtë aktivitet bamirësie, i cili synon të vendos standarde të reja mes shoqërisë civile, për një jetë më aktive dhe për një kontribut real në ndihmë të personave në nevojë. Nën moton ‘Koha për Qytetarë Aktivë’! Ftojmë gjithë qytetarët për të shijuar spektaklin, por njëkohësisht edhe të bëhen humanistë për personat në nevojë duke marrë pjesë në këtë aktivitet. Secili ka një mundësi të tregojë se jemi qytetarë aktivë, se dimë të vetë organizohemi dhe të vendosim dorën mbi një nga plagët kurative që ka shoqëria jonë”, u shpreh Hatika.
Olsi Sulo, drejtuesi i grupimit Tifozët Kuq e Zi tha se e kanë mirëpritur ftesën për organizimin e këtij evenimenti, për t’i ardhur në ndihmë fëmijëve në nevojë.
“Sapo dëgjuam për këtë projekt të Qendrës Mediatike “Kurajo”, e pranuam ftesën me kënaqësi, aq më shumë kur bëhet fjalë për një event të ardhurat e të cilit do të shkojnë për fëmijët në nevojë. T’i mbështesim fëmijët jo vetëm në ditën e tyre që është 1 Qershori. Tani jemi në prag të festave dhe mendojmë t’u bëjmë një dhuratë fëmijëve”, tha ai.
Aktiviteti i bamirësisë është konceptuar si një spektakël që do të sjellë të ardhura për fëmijët jetimë. Të ftuar do të jenë edhe këngëtarë të mirënjohur të skenës shqiptare.
Ky aktivitet zhvillohet për herë të parë dhe nuk do të jetë i vetmi. Të ardhurat nga biletat dhe reklamat do të kalojnë për Shtëpinë e fëmijës “Zyber Hallulli” në Tiranë, por kushdo prej qytetarëve që ka dëshirë të kontribuojë për fëmijët jetim, mund të jap donacione në numrin e llogarisë; Banka CREDINS 341107.