Sot iu dha lamtumira e fundit politikanit dhe shkrimtarit, Sabri Godo

Kurora me lule, tinguj funebër dhe pikëllim shoqëruan sot ceremoninë mortore të politikanit dhe shkrimtarit Sabri Godo, i ndarë dje nga jeta në moshën 82-vjeçare. Krerët më të lartë të shtetit, personalitete të politikës, të majtë e të djathtë, përfaqësues të komuniteteve fetare, trupit diplomatik, njerëz të artit dhe kulturës, qytetarë nga e gjithë Shqipëria, i dhanë sot lamtumirën e fundit z. Godo, në homazhet e organizuara për rreth dy orë, në hollin e selisë së parlamentit. I mbuluar me flamurin kuq e zi dhe kurora të shumta me lule, trupi i pajetë i Sabri Godos u përcoll për në banesën e fundit me nderime dhe respekt të veçantë. Pasi kanë vënë nga një shirit zie në hyrje të hollit të Kuvendit, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, kryeministri Sali Berisha, kryeparlamentarja Jozefina Topalli, bënë homazhe dhe ngushëlluan familjarët e politikanit Godo, duke lënë edhe nga një shënim në librin e Zisë të hapur me këtë rast. Homazhe për të nderuar kujtimin e politikanit të njohur, që themeloi në vitin 1991 Partinë Republikane, të cilën e drejtoi për tetë vjet, dhe më pas e kryesoi si President Nderi, zhvilluan dje dhe kryetari i LSI-së, Ilir Meta, ish-Presidenti Rexhep Mejdani i shoqëruar nga ish-Kryetari i Kuvendit Skënder Gjinushi; më herët ish-kryetari i Kuvendit Servet Pëllumbi, një delegacion nga Partia Socialiste i kryesuar nga kryetari i grupit parlamentar, Gramoz Ruçi, deputetë të PD-së, ambasadori i SHBA, Aleksandër Arvizu, ai i OSBE-së, Eugen Ëollfarth dhe ambasadori i BE-së në Tiranë, Ettore Sequi. Homazhe në nderim të Sabri Godos zhvilluan dhe kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha, princi Leka i II-të, ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, ministrja e Integrimit Evropian, Majlinda Bregu. Sabri Godo, një nga figurat dhe personazhet më të rëndësishëm të politikës shqiptare në 20 vitet e fundit, u nda nga jeta të shtunën në moshën 82-vjeçare, pas një sëmundje të rëndë në mushkëri. Ndonëse jo me një angazhim politik të drejtpërdrejtë, prej shumë vitesh, z. Godo ishte aktiv në të gjitha momentet kritike apo debatet për shumë situata që kalonte vendi. Para viteve ‘90 Sabri Godo ishte i njohur përmes disa veprave si shkrimtar, ku romanet historikë, “Skënderbeu” dhe “Ali Pashë Tepelena”, janë ndër më të rëndësishmet. Ndërsa, me përmbysjen e regjimit komunist, gjatë historisë 20 vjeçare të pluralizimit, ai do të ishte një nga figurat më me peshë në vend. Themelues i Partisë Republikane në vitin 1991 dhe dy herë deputet i parlamentit shqiptar, z. Godo është ndër hartuesit e Kushtetutës së vendit. Ai do të tërhiqej nga drejtimi i republikanëve, duke ruajtur pozicionin e Presidentit të Nderit të Asamblesë së Partisë Republikane, ndërkohë që angazhimi i tij publik do të mbetej i fortë. Në shumë çështje të debatuara apo situata kritike mendimi i tij do të kërkohej për të rivendosur ekuilibrat dhe për të ofruar zgjidhjet e matura. Presidenti Bamir Topi, në mesazhin e tij të ngushëllimit, do e cilësonte z. Godo si “politikanin moderator”, ndërsa kryeministri Sali Berisha do ta vlerësonte si “një nga personalitet e mendimit politik dhe të letrave në vend”. “Politika, shprehet kryeministri në mesazhin ngushëllues, humbi një nga më të urtit e saj, bota e mendimit intelektual një prej mendjeve më të ndritura, letrat shqipe korifeun e romanit historik”. Gjithashtu, keqardhje për ndarjen nga jeta të z. Godo kanë shprehur dhe drejtues të partive politike shqiptare, brenda dhe jashtë vendit.
Berisha në Homazhe: Humbja e Godos, humbje për politikën dhe letrat shqipe
Kryeministri Sali Berisha, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij znj. Liri Berisha, zhvilloi sot homazhe në nderim të politikanit, shkrimtarit të shquar dhe themeluesit të Partisë Republikane të Shqipërisë Sabri Godo, i cili u nda dje nga jeta. Në homazhet e zhvilluara në Kuvendin e Shqipërisë, Kryeministri vendosi një kurorë me lule dhe u përul me nderim para trupit të pajetë të Sabri Godos. Kryeministri Berisha u përul në shenjë nderimi para trupit të pajetë të Sabri Godos, si dhe i shprehu ngushëllime familjarëve e të afërmve të tij si dhe drejtuesve të Partisë Republikane, për ndarjen nga jeta të njeriut të tyre të dashur. Berisha e ka cilësuar ndarjen nga jeta të Sabri Godos si një humbje e madhe për politikën dhe letrat e Shqipërisë. Kryeministri la edhe një shënim në Librin e Ngushëllimeve të hapur me këtë rast. Pas homazheve, Kryeministri iu bashkua familjarëve, të afërmve, miqve e kolegëve të Sabri Godos, duke marrë pjesë në ceremoninë e varrimit.
Topalli: Godo do të kujtohet si një nga intelektualët më aktiv në vend
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli bëri homazhe në nderim të ish deputetit të Kuvendit, Sabri Godo, i ndarë një ditë më parë nga jeta. Në ceremoninë e homazheve, në hollin hyrës të sallës së seancave plenare, Kryetarja e Kuvendit, u shprehu ngushëllimet e saj bashkëshortes, vajzave dhe familjarëve të ish deputetit Godo. Kryetarja e Kuvendit në librin e ngushëllimeve të hapur për këtë rast, e vlerësoi Godo jo vetëm si deputet e politikan, por edhe si shkrimtar e historian, i cili do të kujtohet si një intelektual aktiv i njohur. Sabri Godo ka qenë deputet i Kuvendit në dy legjislatura; në detyrën e Kryetarit të Komisionit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë gjatë vitit 1996-1997 dhe në detyrën e Kryetarit të Komisionit për Politikën e Jashtme gjatë viteve 1997-2001.
Thaçi dhe Krasniqi: Sabri Godo u shqua si një nga personalitetet më kulmore
Kryeministri dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës ngushëllojnë familjen Godo
“Në shoqërinë, kulturën dhe politikën shqiptare, Sabri Godo u shqua si një nga personalitetet më kulmore, i cili në gjithë jetën dhe veprimtarinë e tij reflektonte urtësinë, inkurajonte bashkëpunimin, unitetin dhe vendosmërinë për të punuar në të mirë të mbarë kombit shqiptar. Në momentet më të vështira dhe më vendimtare për çlirimin e Kosovës, gjatë luftës çlirimtare të udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, jam dëshmitar i kontributit të çmuar të Sabri Godos në mbështetjen e fuqishme të luftës dhe në unifikimin e faktorit politik shqiptar për t’u vënë në shërbim të plotë të çlirimit të Kosovës”, thuhet në telegramin e kryeministrit. Qeveria e Republikës së Kosovës, të gjitha institucionet e vendit dhe populli i Kosovës, do të jenë përherë mirënjohës për rolin e pazëvendësueshëm të politikanit dhe intelektualit Sabri Godo për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, thuhet më tej. Në telegramin e ngushëllimit të Krasniqit dërguar presidentit Topi thuhet: Me hidhërim të thellë mësova lajmin për vdekjen e ish deputetit, politikanit, shkrimtarit dhe mikut tim, Sabri Godo. Vdekja e plakut të urtë, Sabri Godo, i cili kontribuoi aq shumë për transformimet demokratike të Shqipërisë dhe për ruajtjen e ekuilibrimeve politike në procese të ndjeshme, është humbje e madhe për politikën e kulturën shqiptare, për familjen e tij dhe miqtë e shumtë që kishte. Sabri Godo ishte shumë i mirëpritur në Kosovë, së cilës i kushtoi angazhim të përhershëm, kurse në rininë e tij kishte qenë këndëj kufirit me armë në dorë për lirinë e shqiptarëve dhe të popujve jugosllavë. Duke ndarë dhembjen bashkë me Ju, me familjen e Sabri Godos, me kolegët e tij bashkëveprues politikë, me shkrimtarët dhe miqtë, në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, ju përcjell ngushëllimet më të sinqerta”.