Greqi, sulmohet një sinagogë në Kretë
Një incident kriminal shkaktoi ditën e hënë dëme të mëdha materiale në sinagogën Canee në ishullin e Kretës, në jug të Greqisë. Ky incident ndodhi 10 ditë pas një incidenti të ngjashëm.
Incidenti shkaktoi dëme të vlerësuara në 30 000 euro, mësohet nga vlerësimet e skuadrave zjarrfikëse të cituara nga agjencia e shtypit Ana.
Sipas policisë lokale, disa të panjohur arritën të hyjnë në oborrin e sinagogës nëpërmjet ndërtesës fqinje dhe i vunë zjarrin njërës prej godinave të sinagogës, duke shkatërruar një pjesë të arkivave dhe pajisjeve të saj.
Më 5 janar, një zjarr i të njëjtit lloj shkaktoi dëme materiale.Kështu, 2 500 libra të rrallë janë djegur gjatë këtyre dy zjarreve, bëri të ditur drejtori i sinagogës, Nikos Hanan Stavrulakis, i cili u bëri thirrje autoriteteve të veprojnë kundër këtyre akteve "antisemite dhe raciste".
Observatori grek i marrëveshjeve të Helsinkit, Epse, dënoi në një komunikatë këtë sulm antisemit, më të rëndin e viteve të fundit si dhe heshtjen dhe bashkëfajësinë e qeverisë dhe të partive greke që nuk bënë asgjë për ta penguar këtë incident.
Akte vandalizmi ndodhin herë pas here kundër varrezave dhe ndërtesave të hebrejve në Greqi, ku ndodhet një komunitet prej disa mijëra personash, pas shfarosjes së tyre pothuaj në masën 80 për qind nga nazistët.