E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, trafik droge, arrestohen disa shqiptarë

ATHINE- Një çift shqiptarësh janë arrestuar në lagjen Virona të Athinës, pasi policia gjeti në shtëpinë e tyre 4 kg heroinë. Policia greke kishte informacion për veprimtarinë kriminale të ciftit dhe kreu një kontroll të befasishëm në shtëpi, ku gjeti dhe sekuestroi sasinë e drogës.

Mësohet se gjatë aksionit të policisë, gruaja e zemëruar u lëshoi policëve qenin Pitbull. Në përfundim çifti u vu në pranga nga forcat e policisë.

Thuhet se heroina ishte e destinuar për tregun e Athinës ndërkohë që detajet e tjera do të dalin nga hetimet e mëtejshme.

Në një zhvillim tjetër një shqiptar 28 vjeç, i cili njihej nga policia si importues i drogës nga Shqipëria drejt Greqisë dhe si shpërndarës në rajonin e Atikës, u arrestua dje në një shtëpi në Aharnes, ndërsa kërkohen edhe 2 bashkëpunëtorë të tij shqiptarë, 23 dhe 24 vjeç. Shqiptarit iu gjetën dhe sekuestruan në shtëpi rreth 42 kg kanabis, një pistoletë, 1.500 €, dy peshore precize, pesë telefona celularë dhe një makinë. I arrestuari shkon sot në Prokurorinë e Athinës për masën e sigurisë.

Një ditë më parë, rreth 130 kilogramë bimë narkotike me prejardhje nga Shqipëria u bllokua nga policia greke e Igumenicës, ndërsa u arrestuan dy persona, njëri prej të cilëve shqiptar.Fillimisht u arrestua shtetasi grek 40 vjec, që po transportonte me një autoveturë me qera lëndën narkotike nga kufiri shqiptar. Më pas u kap në Athinë 27 vjecari shqiptar, i cili rezultoi të ishte personi pritës i lëndës narkotike.

Trafiku i hashashit vazhdon të mbetet problem për njësitë kufitare shqiptare dhe greke. Veprimtaria e trafikantëve rritet ndjeshëm gjatë sezonit turistik, për shkak të rritjes së kërkesës për lëndët narkotike, sidomos prej turistëve në brigjet shqiptare edhe ato greke.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›