Greqi, vazhdojnë protestat, kaos në kufirin me Bullgarinë
SOFJE- Vazhdojnë në Greqi protestat e fermerëve të cilët për 20 ditë me radhë bllokojnë pikën kufitare me Bullgarinë, Promahon-Kulata. Bllokimet e pikave kufitare me Greqinë po shkaktojnë dëme të mëdha për turizmin dhe transportet bullgare. Ndërkohë pikat e tjera kufitare rezultojnë funksionale. Sipas llogaritjeve, dëmet janë rreth gjysmë milioni euro në ditë për turizmin dhe rreth dy milionë euro për transportet. Vetëm ditën e sotme rreth 100 kamionë transit janë detyruar të presin për orë me radhë në pikën kufitare të Bullgarisë për të hyrë në territorin grek. Tensioni u rrit pasi pak ditë më parë konfederata e industrialistëve bullgarë deklaroi se do të bllokonte pikën kufitare me Greqinë si kundërpërgjigje ndaj protestave greke. Sot në parlamentin e Sofjes, kryeministrit Boyko Borisov iu kërkua se çfarë po bënte për të mbrojtur interesat kombëtare nga situata që ishte krijuar në kufirin me Greqinë. Borisov kujtoi se kishte folur me kryeministrin grek, Jorgo Papandreu dhe me presidentin e Komisionit evropian, Jose Manuel Barroso. "Vlerësuan durimin tonë dhe reagimin diplomatik për këtë problem", deklaroi Borisov duke shpjeguar se do të hapte një çështje në Gjykatën e Drejtësisë në Luksemburg për të kërkuar të paktën 10 milionë euro dëmshpërblim nga Greqia, nëse deri të dielën nuk do të zhbllokohen të gjitha pikat kufitare.(e.n/BalkanWeb)