E Diel, 1 Nëntor 2026

Kushtetuesja rrëzon tjetër ligj të propozuar nga qeveria

TIRANE- Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar një tjetër ligj të qeverisë Berisha, si të papajtueshëm me Kushtetutën. Vendimi është bërë publik ditën e djeshme në faqen zyrtare të Gjykatës Kushtetuese. Me shumicë votash, është vendosur shfuqizimi i nenit 58 të Ligjit "Për auditimin ligjor, organizimin e profesionit të ekspertëve kontabël të regjistruar dhe të kontabilistit të miratuar", miratuar në mars të vitit 2009. Ka qenë Organizata Profesionale e Ekonomistëve, qe ka ankimuar ligjin si në kundërshtim me Kushtetutën, ndërkohë që palë të interesuara ishin Kuvendi, Qeveria dhe Instituti i Ekspertëve Kontabël të Autorizuar. Neni 58 i cili është rrëzuar nga gjykata parashikon, që një strukturë shtetërore mund të ndëshkojë me gjobë deri në 2 vjet burg, ata kontabilistë të cilët verifikohet se kanë abuzuar me detyrën, në hartimin e bilanceve financiare. "Gjykata çmon se neni 58 i ligjit objekt shqyrtimi, që parashikon mbajtjen e padrejtë të titullit të ekspertit kontabël si kundërvajtje penale, nuk është në pajtim me nenin 81/2 të Kushtetutës"- thuhet në vendimin e Kushtetueses. Sipas vendimit, dispozita që e klasifikon një veprim të caktuar - në rastin konkret mbajtjen e padrejtë të titullit të ekspertit kontabël - si vepër penale, jashtë dispozitave të Kodit Penal dhe si pjesë e një ligji të miratuar me shumicë të thjeshtë të deputetëve, bie ndesh me parimin e kushtetutshmërisë, pasi prek drejtpërdrejt shtetasit në të drejtat dhe liritë e tyre duke mosrespektuar shumicën e cilësuar për këtë qëllim. Rrëzimi i këtij ligji, vjen pak kohë pas rrëzimit të ligjit "Për Pastërtinë e Figurës së Zyrtarëve", njohur si Dosjet dhe atij për Paktin Detar me Greqinë. (e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›