Greqi, zhdukja e së miturës, arrestohet shqiptari 23 vjeç

Disa orë pas publikimit të fotove të 23 vjeçarit shqiptar, i cili akuzohej për rrëmbimin e një të miture greke, policia bëri të mundur arrestimin e tij.
Marion Ajazi, 23 vjeç, nga Shqipëria, banues në një zonë rurale të Kavallës, u arrestua sot në mesditë nga policia, e cila e akuzon për rrëmbimin e një 13 vjeçere nga Spata në Greqi.
Që më 26 maj policia kishte marrë denoncimin nga familjarët për zhdukjen e 13 vjeçares Kristina Krasa. Sipas policisë, 23 vjeçari shqiptar kishte pasur kontakte me të miturën nëpërmjet Facebookut.
Me disa foto, ku kishte dalë me një valixhe plot me dollarë, me një thikë dhe me një bluzë të Marinës, ai ka gënjyer 13 vjeçaren Kristina se së bashku mund të gjenin një “jetë të mirë”. Ata kishin biseduar disa herë në FB dhe nuk ishte e vështirë që 23 vjeçari ta bindë vajzën për të ikur bashkë më të, raporton BW.
Pas mesnatës së kaluar, një telefonatë dha informacione të vlefshme për vendndodhjen e vajzës, të cilat ndihmuan policinë për zonën se ku duhet të përqendronte kërkimet. Nga ana tjetër, Ajazi e kuptoi se rrethi po ngushtohej dhe e la vajzën të lirë, kurse vet ra në duart e policisë.
Vajza ishte në gjendje të mirë shëndetësore vetëm me disa shembje në trup, jo nga keqtrajtimi.
Vajza e mitur tha në polici se kishte shkuar me 23 vjeçarin me vullnetin e saj./Indeksonline/