E Diel, 1 Nëntor 2026

Nuk ka ndryshime kushtetuese, as rezolutë

Pas shumë orë debati, Kuvendi i Kosovës nuk ka votuar as për rezolutë për Luginën e Preshevës, por as për ndryshime të Kushtetutës, siç ka propozuar kryeministri Hashim Thaçi. Votimi nuk është bërë shkaku i mungesës së kuorumit, pra mungesës së më shumë se gjysmës së deputetëve të Kuvendit, andaj Jakup Krasniqi e ka shpallur të mbyllur seancën e sotme plenare të Kuvendit.

Kuvendit tw Kosovës Kryeministri Hashim Thaçi, u kishte propozuar që përmes ndryshimeve në Kushtetutën e Kosovës të sigurohet mbrojtja e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe në republikat e tjera të ish-Jugosllavisë, ku ka shqiptarë.

Përfaqësuesit e shqiptarëve të Luginës së Preshevës presnin që Kuvendi i Kosovës, në seancën e paralajmëruar për sot, e cila do t’i kushtohet shqiptarëve në komunat Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, të nxjerrë një rezolutë me të cilën duhet të angazhojë Qeverinë e Kosovës që të merret më konkretisht me problemet që kanë shqiptarët e Luginës.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, gjatë këtij debati parlamentar ka thënë se nuk mund të ndihmohen shqiptarët në Luginën e Preshevës duke i përçarë shqiptarët në Kosovë, duke aluduar kështu në fjalimin e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu.

“Serbia ka qenë edhe në veri të Kosovës edhe është tash në Luginën e Preshevës. Marrëveshja ka qenë që fillimisht të hiqet Serbia nga Kosova, e pastaj të kërkohet me insistim më të madh në Luginën e Preshevës”, ka thënë Kuçi.

Por, i menjëhershëm ka qenë reagimi i deputetit të Vetëvendosjes!. Për më tepër, ndiqeni videon nga debati Aliu – Kuçi

Kuvendi me nismën e deputetit Lutfi Haziri dhe të mbështetësve të nevojshëm të spektrit politik të përfaqësuar në këtë institucion të pushtetit legjislativ, po diskuton sot drejtat dhe liritë e shqiptarëve në komunat Preshevë, Bujanoc e Medvegjë. Në mbledhje po marrin pjesë edhe përfaqësuesit politikë e të pushtetit të këtyre komunave./Indeksonline./

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›