E Diel, 1 Nëntor 2026

Greqi, zv/kryetari i neonazistëve sulmon dy gra në debat televiziv

Veprimi i ulët i zëdhënësit të neonazistëve grekë duket se do t’i kushtojë shtrenjtë pasi për të është lëshuar një mandate arresti.

Kasidiaris, gjatë një debati politik, gjuajti me ujë kandidaten e Syrizas, Rena Dourou, dhe qëlloi në mënyrë të përsëritur me shuplakë kandidaten komuniste, Liana Kanelli.

Diskutimi degjeneroi në përleshje pasi Kasidiaris dhe Kanelli nuk ranë dakord lidhur me faktin nëse ka pasur rezerva nafte apo jo në jug të Kretës. Zv/kryetari dhe zëdhënësi i Agimit të Artë (partia neonaziste greke) u akuzua për një çështje gjyqësore në të cilën kishte qenë i akuzuar për një sulm me thika të ndodhur disa vite më parë, çështje e cila ishte mbyllur një ditë më parë.

Kjo e nxehu shumë Kasidiarisin i cili gjuajti me uje kandidaten e Syrizas dhe më pas iu kthye me shuplaka kandidates komuniste. Transmetimi direkt u ndërpre menjëherë, ndërkohë që disa raporte thonë se sulmi i neonazistit mbi gratë kandidate ka vazhduar edhe pas fikjes së kamerave.

Kanelli tha se sjellja e Kasidiaris vërtetonte se pse ata 450 000 grekë të cilët i votuan në zgjedhjet e 6 majit nuk duhet t’i mbështesin më në zgjedhjet e 17 majit.

“Me fuqinë e votës, populli grek duhet të izolojë çdo dorë banditi, e cila mund të godasë në çdo kohë”, tha Kanelli.

Agimi i Artë arriti një rezultat të papritur në zgjedhjet e 6 majit, duke fituar 6.97 % të votave, nga 0.29% që kishte fituar në vitin 2009.

Prokurorja Eleni Raikou urdhëroi lëshimin e një mandate arresti të menjëhershëm për Kasidiaris.

Pavarësisht se është zgjedhur në parlament me 6 maj, Kasidiaris nuk përfiton nga imuniteti parlamentar pasi parlamenti është shpërndarë në pritje të zgjedhjeve të 17 qershorit.

/Start/F. Prroni/

                                                                                             2012-06-07 11:43
   

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›