E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, Këshilli i Shtetit: Të hapet ERT deri në krijimin e entit të ri

ERT, ora “zero”. Zgjidhje ose zgjedhje. Kështu e përshkruajnë mediat situatën politike në Greqi, një javë pas mbylljes së RTV publik ERT. 

Këshilli i Shtetit dha vendimin e tij për hapjen e ERT deri në krijimin e një enti të ri, vendim që shkaktoi festime në mesin e punonjësve të ERT.

Ndërkohë liderët e tre partive aleate në koalicionin qeveritar po zhvillojnë një takim vendimtar, përfundimi i të cilit do të përcaktojë zhvillimet e mëtejshme dhe situatën në vend. Takimi zhvillohet në kushtet kur Samaras vazhdon të jetë i vendosur në vendimin e tij. "Disa besojnë se do të na izolojnë brenda dilemave të zgjedhjeve të parakohshme, por dilema e vërtetë është se kush do të mbajë persipër barrën e bllokimit të reformave”, deklaroi ai sot. 

Qarkullojnë disa opsione rreth asaj që do të arrijë takimi i sotëm.

1 - Marrëveshje politike
Është skenari që largon zgjedhjet e parakohshme dhe liderët politikë rifillojnë bashkëpunimin mbi një bazë të re.

2 - Marrëveshje pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese
Një vendim i Gjykatës Kushtetuese për anulimin e vendimit të qeverisë, vendim që pritet me minuta, do të mund të ishte një zgjidhje e përkohshme. Në këtë rast, qeveria do të deklarojë se respektoi vendimin e gjykatës.

3 - Largimi i PASOK dhe DIMAR nga qeveria, duke e lënë pa mbështetje kryeministrin Samaras. Një zhvillim i tillë do të mund të shkaktojë zgjedhje të parakohshme, edhe pse qeveria Samaras mund të vazhdojë të qeverisë për të paktën një periudhë të vogël kohore, si qeveri pakice, duke qenë gjithmonë në rrezik rrëzimi, në rast të mosvotimit të ndonjë projektligji.
Një mundësi tjetër do të një koalicion i ri i Demokracisë së Re me Grekët e Pavarur dhe deputetët e pavarur, por nëse Grekët e Pavarur të Panos Kamenos që janë pjellë e Demokracisë së Re, do të pranonin një ofertë të tillë. 

4 - Dorëheqja e qeverisë është një mundësi, që çon në zgjedhje të parakohshme. Po qe se tre liderët do të këmbëngulin në qëndrimet e tyre, atëherë zgjedhjet e parakohshme janë të pashmangshme.

5 - Kërkesë e Samaras për votëbesim në Parlament 
Nëse tre liderët e qeverisë nuk arrijnë marrëveshje, por nuk e rrëzojnë menjëherë qeverinë, Samaras mund të kërkojë votëbesim në Parlament, duke këmbëngulur në mbylljen e ERT.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›