E Diel, 1 Nëntor 2026

Greqia Marrëveshje e re kombëtare për ti dhënë fund krizës

Autori i Lajmit: Redaksia
Athinë - Kryeministri i Greqisë, Jorgos Papandreu, ka paralajmëruar se vendi i tij e ka humbur kredibilitetin ndërkombëtar, dhe se ekziston rreziku që ekonomia të tretet në borxhin e jashtëm të shtetit. Papandreu bëri thirrje për unitet në vend, dhe shtoi se qeveria në tre muajt e ardhshëm do të sjellë vendime, të cilat nuk janë marrë disa dekada me radhë. Borxhi i jashtëm i Greqisë është 300 miliardë euro, ndërsa deficiti i vendit 12.7 %, më i madhi në Bashkimin Evropian.

Reformat

Kryeministri Jorgos Papandreu në pallatin Zapio me rastin e hapjes së dialogut shoqëror për daljen nga kriza, ftoi të gjitha partitë, por edhe grupet shoqërore të mobilizohen për shpëtimin e vendit. Papandreu kërkoi një marrëveshje kombëtare shoqërore, duke njoftuar paralelisht edhe shumë ndryshime të rëndësishme për vendin. “Për tre muaj do të bëhen sa nuk u bënë për shumë vite me radhë”,- tha kryeministri dhe theksoi se në këtë moment problemi i Greqisë është mungesa e besueshmërisë në tregjet ndërkombëtare.
Kreu i qeverisë foli me hollësi për planin e qeverisë në të gjitha fushat e ekonomisë dhe shoqërisë dhe nevojën e riorganizmit të shtetit dhe të luftës kundër korrupsionit. “Do të përparojmë në këtë luftë me konceptet, praktikat dhe politikat e së kaluarës, do të luftojmë paligjshmërinë dhe korrupsionin nga rrënjët e tyre”. Me fjalimin e tij të hapur nga pallati Zapio, Papandreu u përpoq të ndryshojë klimën negative dhe presionet që i bëhen Athinës nga tregjet ndërkombëtare dhe në këtë kuadër njoftoi se qeveria ka si objektiv uljen e deficitit nën 3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) deri në vitin 2013. Për sa i përket borxhit shtetëror, ai do të fillojë të ulet të paktën deri nga viti 2012 dhe si rrjedhojë do të formulohet një strategji në programin 4-vjeçar të stabilitetit dhe të zhvillimit që do të paraqitet në BE në muajin janar. Midis masave që përshkroi kryeministri për arritjen e objektivave të qeverisë janë: “Shkurtimi i shpenzimeve funksionuese të shtetit rreth 10%, reduktimi i shpërdorimit dhe fuqizimi i aparatit arkëtues në Entet e Sigurimeve Sociale, shkurtimi rreth 1/3 e kontratave të punës, emërimi në sektorin shtetëror i një nëpunësi për çdo pesë nëpunës që largohen, rritja e pagave në sektorin shtetëror në varësi me nivelin e inflacionit, shkurtimi i shpenzimeve për kompensimet në sektorin shtetëror rreth 10%, mbyllja 1/3 e zyrave të Organizmit Grek të Turizmit dhe zyrave të Shtypit jashtë shtetit dhe vendosja e tyre në ambasadat e Greqisë, krijimi i një Autoriteti unik për pagesat në sektorin shtetëror, shkurtimi i pagave të kuadrove drejtues në ndërmarrjet publike DEKO, shkurtimi i Bonove për kuadrot e lartë të bankave që kontrollohen nga shteti, por edhe tatimi i Bonove të kuadrove të lartë të bankave private me koeficient 90%, etj.

Opozita

“Në një situatë të vështirë për vendin, qytetarët grekë prisnin të dëgjonin nga kryeministri një plan më të plotë të daljes nga kriza të ekonomisë greke”, - e komentoi përfaqësuesi i shtypit i DRe-së, fjalimin e kryeministrit. “Ska asnjë mirëkuptim për masat antipopullore e antipunëtore të qeverisë. Aleanca popullore dhe kundërpërgjigjja për këto masa janë rruga e vetme për popullin”, - komentoi Partia Komuniste Greke. “është e sigurtë se populli grek priste më tepër nga fjalimi i kryeministrit Jorgos Papandreu”, - komentoi Alarmi Ortodoks Popullor. “Fjalimi i kryeministrit nuk kishte një formulim të politikës së qartë për daljen nga kriza ekonomike”, - komentoi Koalicioni.

Një në katër grekë beson në përmirësimin e gjendjes ekonomike

Në bazë të rezultateve të sondazhit të Eurobarometrit, që u bënë publike dy ditë më parë në Bruksel, 92% e grekëve, përkundrejt mesatarisht 75% në Bashkimin Evropian (BE), vlerëson se ekonomia e vendit të tyre është “në gjendje të keqe”. Ky sondazh u realizua në fund të muajit tetor në Greqi dhe u anketuan 1.000 persona. Sipas të njëjtit sondazh, 24% e grekëve beson se gjendja ekonomike e vendit do të përmirësohet në 12 muajt e ardhshëm (11% në pranverën e këtij viti), ndërsa në BE mesatarisht presin përmirësimin e gjendjes ekonomike 28% e të anketuarve (25% në pranverë).
Ky lajm është publikuar: 16/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›