E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkoi dorëheqjen e Hajdarit, bie kërkesa e Aldo Bares

TIRANE-Gjykata e Krimeve të Rënda ka rrëzuar kërkesën e të akuzuarit nga Prokuroria si kryetar i Bandës së Lushnjës, Aldo Bare për të përjashtuar nga trupi gjykues gjyqtaren Fatmira Hajdari.
Procesi gjyqësor ndaj të akuzuarit si kreu i Bandës së Lushnjes zhvillohet në Gjykatën e Krimeve të Rënda.

Alfred Shkurti, alias, Aldo Bare, në proces gjykimi për një sërë veprash penale, mes të cilave dhe vrasje, të kryera nga banda e Lushnjës, kërkoi më 09.12 dorëheqjen e kryetares së trupit gjykues Fatmira Hajdari.

Por, kreu i Gjykatës së Krimeve të Rënda, Dritan Hallunaj deklaroi sot se kerkesa ishte e motivuar politikisht, ndërsa i vuri në dukje të pandehurit se gjykata është institucion i depolitizuar. Ne seancen e sotme nuk ishte i pranishem Aldo Bare, por avokati i tij, Vladimir Meci.

Pak ditë më parë Fatmira Hajdari u caktua nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë për të drejtuar këtë proces, pas vendimit të këtij institucioni për të pezulluar nga detyra e gjyqtares dhe hequr imunitetin Marsela Balilit.

Gjyqtarja ishte në krye të trupit gjykues që gjykonte bandën e Lushnjes, por më 2 dhjetor KLD urdhëroi pezullimin e saj nga detyre dhe heqjen e imunitetit.
Procedurialisht kërkesa e Bares iu paraqit kryetarit të Gjykatës së Krimeve të Rënda i cili vendosi të mos e pranojë atë.

Duke se Bares nuk po i prin fati ne seancat  e para gjyqesore me kerkesat drejtuar trupit gjykues. Vetëm dy ditë më parë Aldo Bares, Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda i ka rrëzuar kërkesën për rivlerësim të masës. Bare i cilësuar nga organi i akuzës si kapo “Bandës së Lushnjës” i kërkoi në datën 5 Dhjetor Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda lirimin e tij nga burgu.

Alfred Shkurti i njohur ndryshe si Aldo Bare akuzohet për mbi 20 vrasje, krijimi i organizatës kriminale, rrëmbim personi, shkatërrim prone, dhunim varresh, dhe kryerje të veprave të tjera penale në bashkëpunim nga organizata kriminale, dhe u ekstradua nga Turqia më 25 nëntor të këtij viti.

Krimi më i rëndë që rëndon mbi supet e tij është ekzekutimi i Artur Dajës, armikut të tij të përbetuar, të cilit i preu kokën dhe ja shëtiti përmes qytetit të Lushnjës.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›