E Diel, 1 Nëntor 2026

Dështimi i negociatave, liderët botërorë zbarkojnë në Danimarkë

Autori i Lajmit: Redaksia
Kopenhagen - Samiti i OKB-së për ndryshime klimatike, i cili kulminacionin do ta arrijë të premten, me 120 udhëheqës botërorë të mbledhur në kryeqytetin danez, është cilësuar si një prej takimeve më të rëndësishme në botë, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun, kryeministri i Britanisë, Gordon Braun dhe presidenti i Brazilit, Luiz Inacio Lula da Silva, zbarkuan në Kopenhagen, ku zyrtarët dhe ministrat për klimë e kanë pasur shumë të vështirë që të arrijnë progres, gjatë takimeve maratonike, të cilat po zhvillohen që prej 8 ditësh. “Apeloj të gjithë udhëheqësit botërorë që të dyfishojnë përpjekjet, për të gjetur hapësirë për kompromis, për të bërë përpjekjet përfundimtare në këtë Konferencë të rëndësishme. Koha po ikën. Nuk ka më kohë për pozicionim dhe fajësime”, - tha Ban në Nju-Jork, përpara se të nisej për në Kopenhagë. “Nëse gjërat mbesin që të zgjidhën nga udhëheqësit në momentin e fundit, atëherë ne rrezikojmë që të arrijmë një marrëveshje të dobët, apo që mos të arrijmë fare marrëveshje. Dhe do të ishte ky një dështim me pasoja potencialisht katastrofale”, - shtoi ai.
Qëllimi i Konferencës është që të vendosen kornizat e marrëveshjes së premtimeve të shteteve, për të reduktuar emetimin e gazrave në atmosferë dhe për të krijuar mekanizmat, për ti ofruar me miliarda euro ndihmë shteteve të varfra, për të mbështetur kështu përpjekjet e tyre për të luftuar ndryshimet klimatike. Shkencëtarët kanë theksuar se pa aksion dramatik, për të reduktuar emetimin e gazrave, brenda disa dekadave planeti do të ngrohet aq shumë, sa që ngrohja do të provokojë thatësirë, stuhi dhe ngritje të nivelit të deteve. Sekretarja amerikane e shtetit, Hilari Klinton, pranoi se nga Perëndimi pritet që të marrë përsipër kryesimin, por theksoi se të gjitha shtetet duhet të japin kontributin e tyre. “Kjo duhet të jetë një përpjekje e përbashkët. Të gjitha ekonomitë e mëdha, të zhvilluara dhe në zhvillim e sipër, duhet të ndërmarrin aksion transparent për të reduktuar emetimin e gazrave”, shkroi Klinton në gazetën "International Herald Tribune".

Ky lajm është publikuar: 16/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›