Greqia: Tensioni prish imazhin pozitiv të zgjedhjeve

Pas Italisë, edhe Greqia reagon në mënyrë zyrtare mbi zhvillimet e fundit politike në Shqipëri. Kështu, mediat greke citojnë një deklaratë të bërë nga zëdhënësi i ministrisë së Jashtme të Greqisë, Grigoris Delavekuras, i cili i drejton publikisht një thirrje udhëheqjes politike të Shqipërisë për "vetëpërmbajtje dhe pjekuri", lidhur me problemet që u shfaqen në lidhje me rezultatet në Tiranë, pas zgjedhjeve lokale të 8 Majit.
Zyrtari grek vë në dukje se "në përgjithësi dhe pavarësisht problemeve të veçanta, procesi u zhvillua pa probleme, një fakt ky që i atribuohet në një shkallë të madhe tregimit të një pjekurie të rëndësishme nga ana e elektoratit". Megjithatë, ai theksoi se "problemet që janë duke u vërejtur lidhur me votat e Bashkisë së Tiranës, përbëjnë një goditje në imazhin relativisht pozitiv të procesit".