Greqia ankohet në KE për Kishën në Përmet
Greqia e ka çuar çështjen e kishës së Përmetit dhe të incidenteve të krijuara në këtë qytet në Komisionin Europian.
Eurodeputeti i Demokracisë së Re, Jorgos Kumutsakos, ka kërkuar një interpelancë në KE, që të dënojë ngjarjet e ndodhura në Përmet, duke pyetur në se do të përfshihen ato në raportin vjetor për ecurinë e Shqipërisë, vend që kërkon të integrohet në BE, raporton TCH.
Jorgos Kumutsakos, që ka qenë për shumë vjet zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme greke, thekson se një ditë pas festës së madhe fetare të ortodoksisë, asaj të Shën Mërisë, kanë ndodhur incidente të dhunshme, vandalizma dhe akte sakrilegji në kishën e Shën Mërisë, në qytetin e Përmetit.
Eurodeputeti grek ka bërë pyetje të specifikuar për incidentet e reja, sipas tij, që janë ripërsëritur të hënën, më 19 gusht, midis policisë shqiptare, klerikëve dhe besimtarëve të krishterë, ndërsa më pas është qëlluar me gurë, në mënyrë të dhunshme, edhe Konsullata greke e qytetit të Gjirokastrës.
Duke iu referuar pikërisht provokimeve, sipas tij, ndaj ortodoksëve të Përmetit dhe ecurisë europiane të Shqipërisë, Kumutsakos kërkon nga KE të përgjigjet nëse është informuar, jo vetëm nga qeveria shqiptare, por edhe nga Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë, për këto ngjarje dhe se a do dënojë këto veprime.
Përsa i përket shtypit grek, vlen për tu përmendur komenti i versionit elektronik të gazetës Proto Thema për qëndrimin e dyfishtë, sipas saj, të kryeministrit Sali Berisha, i cili nga njëra anë denoncon Athinën për ndërhyrje në punët e brendshme të Shqipërisë dhe nga ana tjetër pranon se ngjarjet e Përmetit sollën në kujtesën e të gjithëve, veprimet e sistemit komunist të Enver Hoxhës.
Gjithashtu, pasi karakterizohet si tepër provokuese përgjigjja e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, gazeta thekson se ky cikël i ri tensioni, midis Athinës dhe Tiranës, po ndodh vetëm disa ditë, para se të fillojë zyrtarisht punën qeveria e re socialiste, e udhëhequr nga Edi Rama.
Është pikërisht ky ndryshim në skenën politike të shtetit fqinj, shton gazeta, që ka krijuar shpresa për përmirësimin e marrëdhënieve greko-shqiptare dhe, si shembull, jepet vizita e kryeministrit të zgjedhur, Edi Rama, në Athinë, disa ditë më parë si dhe takimet e tij me kryeministrin Samaras dhe zv/kryeministrin Venizellos.