E Diel, 1 Nëntor 2026

Greqia ende pa qeveri. Priten sërish takime mes liderëve dhe presidentit

Bisedimet për formimin e koalicionit qeveritar në Greqi kanë dështuar përsëri të arrijnë një marrëveshje. Mediat shtetërore raportojnë se presidenti Karlos Papulias do të takojë sërish sot udhëheqësit e partive të vogla, që kanë kaluar pragun zgjedhor në zgjedhjet e 6 majit.
 

Shpresat janë që “E Majta Demokratike” të ketë më shumë premisa për të formuar koalicionin me “Demokracinë e Re” dhe PASOK-un, dy partitë që kanë qeverisur Greqinë për gati katër dekada.
 

Të dielën, një tjetër parti e majtë, Syriza, e cila më 6 maj ka dalë e dyta, ka përsëritur se nuk do të hyjë në asnjë qeveri që mbështet masat e ashpra të kursimit.
 

Kreu i Demokracisë së Re, Antonis Samaras, u ka bërë thirrje partive politike “të bashkëpunojnë për të mirën e Greqisë”.
“Populli grek nuk na ka dërguar vetëm mesazh. Ai na ka dhënë ne mandatin për të ndryshuar politikën, por në të njëjtën kohë për të mbetur brenda euros”, ka thënë Samaras.

Udhëheqësit evropianë kanë paralajmëruar Greqinë se nuk do të marrë ndihma të tjera për të përballuar krizën e borxheve, nëse nuk vepron në përputhje me marrëveshjet e bëra deri më tani për paketat e kredive.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›