Mandati i Presidentit, Jahjaga mund të vendosë vetë për përfundimin
Atifete Jahjaga mund të vendosë vetë nësë dëshiron të largohet nga Presidenca dhe përfundimin e mandatit të saj nuk mund ta vendosin anëtarët e Komisionit për Ndryshimet Kushtetuese. Burime të gazetës “Express” thonë se Gjykata Kushtetuese pritet ta konsiderojë në kundërshtim me liritë dhe të drejtat e njeriut Amendamentin e Dhjetë, ku parashikohet përfundimi i mandatit të Presidentes Atifete Jahjaga përpara se t`i ketë përfunduar mandati kushtetuese pesëvjeçar.
Sipas zyrtarit të Gjykatës Kushtetuese, propozimi i 10-të për ndryshimin e Kushtetutës është në kundërshtim me Nenin 45 të Kushtetutës.
Në këtë nen garantohet e drejta për të zgjedhur dhe për t`u zgjedhur, ndërsa sipas një prej drafteve të përgjigjes së Gjykatës, askush nuk mund t`ia marrë dikujt mandatin e fituar në mënyrë ligjore dhe kushtetuese.
Kështu në nenin 45, pika 1 e Kapitullit II të Kushtetutës së Kosovës, ku flitet për “Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut” thuhet:“Çdo shtetas i Republikës së Kosovës që ka arritur moshën tetëmbëdhjetë vjeç, qoftë edhe ditën e zgjedhjeve, gëzon të drejtën të zgjedhë dhe të zgjedhet”.