E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, një javë pas zgjedhjeve s'ka qeveri. "Topi" tek presidenti

ATHINE - Gati një javë pas zgjedhjeve të 6 Majit në Greqi, vendi nuk arriti të krijojë dot një qeveri, për shkak të shpërndarjes së votës dhe kushteve të ndryshme që vendosin forcat politike greke gjatë negociatave.

Pas Samaras dhe Cipras, edhe kreu i PASOK Venizelos dështoi në përpjekjet e tij për krijimin e qeverisë së koalicionit. Palët në bisedime akuzuan njëra-tjetrën se po bëhen pengesë për krijimin e një qeverie dhe se po shtyjnë vendin drejt falimentimit. 

Sot në mesditë Venizelos do të shkojë tek presidenti Papulias, ku duhet të dorëzojë mandatin e tij. 

Tani është radha e presidentit të republikës të bëjë një përpjekje “të minutës së fundit”, për të formuar një qeveri dhe në rast të dështimit të kësaj lëvizjeje, do të shpallen zgjedhjet e reja, të cilat do të zhvillohen muajin e ardhshëm. 

Shanset për suksesin e nismës së presidentit janë të vogla, ndërkohë që mundësia e zhvillimit të zgjedhjet bëhet edhe më e qartë. Dhe duket se në rast të përsëritjes së zgjedhjeve, votuesit do të jenë më të kthjellët për të drejtuar votën e tyre. 

Sipas sondazheve të fundit paszgjedhore, rezulton se në rast të përsëritjes së zgjedhjeve, SYRIZA e Aleksis Cipras del forcë e parë me një shumicë prej 128 vendesh në parlament. Në vend të dytë Demokracia e Re dhe e treta sërish PASOK. 

Ndërkohë paralajmërimet e Brukselit e Berlinit për Greqinë, sa vijnë e ashpërsohen dhe mediat ndërkombëtare bëjnë parashikime gjithmonë e më të errëta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›