E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptarët e Britanisë peticion për Kameron: Bëji presion Berishës

BRITANI- Shqiptarët që punojnë e jetojnë në Britaninë e Madhe kanë nisur firmosjen e një peticioni, ku i kërkohet mbështetje qeverisë së kryeministrit David Kameron të asistojë qeverinë shqiptare për vendosjen e votës së emigrantëve. Në një peticion, të shpërndarë në internet ku kërkohet firma e të gjithë shqiptaro-britanikë, me titull: "Të drejtat e votimit jashtë shtetit për qytetarët shqiptaro-britanikë - Aleanca Kuq e Zi", kërkohet që tashmë shqiptarëve në diasporë t'u njihet e drejta e votës. "Ne, shqiptaro-britanikët, krenarë dhe të vetëdijshëm për historinë e vendit tonë, me përgjegjësi të përbashkët për të ardhmen, me vendosmërinë për të ndihmuar Shqipërinë të ndërtojë një shtet më social dhe demokratik të bazuar në sundimin e ligjit dhe të drejtat e garantuara themelore të njeriut dhe liritë, ju bën thirrje ju, Kryeministër, Z.David Cameron e qeverisë britanike, të na ndihmojë në kërkesën tonë drejtuar qeverisë shqiptare dhe të gjitha partive parlamentare: Vota e diasporës", - thuhet në fillim të peticionit. 

Në këtë peticion është shënuar në paragrafin e parafundit edhe ajo çfarë thekson raporti i Komisionit të Venecias: "Votimi jashtë vendit garanton barazinë mes qytetarëve që jetojnë në vend dhe emigrantëve. Ai siguron që qytetarët të mbajnë lidhjet me vendin e tyre të origjinës dhe rrit ndjenjat e tyre që i përkasin një kombi, ku ata janë anëtarë, pavarësisht nga rrethanat gjeografike, ekonomike ose politike", - thuhet në këtë raport. E më tej, peticioni vijon me fjalët: "Këtë vit ne festojmë 100-vjetorin e Pavarësisë. Në këtë vit jubilar, diaspora shqiptare kërkon të drejtën e lirisë së shprehjes dhe të shprehjes së votës, duke siguruar se të gjithë qytetarët janë të barabartë, në përputhje me Kushtetutën e Shqipërisë". Vota e emigrantëve është një nga çështjet që është diskutuar qysh para zgjedhjeve të 2009, por nuk u arrit të zbatohej as në zgjedhjet e 2011-ës. Kjo pikë është premtuar se do të bëhet e mundur me re-ormën e re zgjedhore, por ende nuk ka asnjë rezultat konkret.
(el.me/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›