E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grevë në Tiranë, bllokim rrugësh në rrethe

Socialistët organizuan dje protesta në akset nacionale në Fier, Vlorë, Korçë dhe Tepelenë

Bllokimi i rrugëve është strategjia e re që po përdor PS në kuadër të asaj që lideri socialist, Rama, e ka quajtur “barrikadë njerëzore” dhe “mosbindje civile”. Dje, qindra socialistë kanë bllokuar për periudha të shkurtra qarkullimin e mjeteve në unazën lindore të qytetit të Fierit, në aksin kombëtar Fier-Pogradec, aksin kombëtar Gjirokastër-Kakavijë, si dhe në rrugën që lidh Vlorën me Selenicën. Edhe më herët gjatë kësaj jave pati bllokime disaminutëshe të rrugëve në Fier dhe Shkodër, ndërsa në ditët në vijim pritet që kjo lloj proteste të përshkallëzohet deri në bllokim pa afat të rrugëve.

Fier

Socialistët e Fierit kanë zhvilluar dje pasdite një protestë në mbështetje të protestës së madhe të Tiranës dhe grevës së urisë që po zhvillohet atje. Drejtues të PS-së lokale, anëtarë, simpatizantë, si dhe mjaft mbështetës të Partisë Socialiste janë mbledhur në orën 18:00 në afërsi të rreth-rrotullimit të Sheqit dhe me parulla në duar kanë udhëtuar rreth 5 kilometra nëpër unazën lindore të qytetit deri te Kisha Katolike, për të vijuar më pas drejt qendrës së qytetit. Policia lokale kishte marrë masat duke bllokuar qarkullimin në rrugën ku do të kalonin protestuesit, duke pezulluar kështu për gati një orë të gjitha lëvizjet në aksin nacional që lidh Tiranën me rrethet e jugut të vendit. Mes thirrjeve të protestuesve dallonin parullat kundër deputetit të LSI-së, Dritan Prifti, dhe kundër Ilir Metës.

Korçë

Nën shoqërimin e forcave të shumta policore dhe nën masa të rrepta sigurie, socialistët kanë zhvilluar protestën e radhës në Korçë. Nën drejtimin e deputetëve Mimi Kodheli dhe Alfred Dalipi rreth 150 simpatizantë dhe përfaqësues të PS-së janë tubuar në rrugë në shenjë proteste duke bllokuar përkohësisht aksin nacional që lidh Korçën me Pogradecin. Pavarësisht nga prezenca e madhe e policisë, rruga është mbajtur e bllokuar për të paktën 30 minuta, duke mos lejuar kështu lëvizjen e mjeteve. Protesta është mbajtur në kufirin ndarës mes Korçës dhe Pogradecit, ndërsa socialistët kanë paralajmëruar një tjetër protestë masive në rang qarku. “Kjo nuk është protesta e vetme. Një tjetër protestë më e madhe do të mbahet ditën e mërkurë kur të gjithë do të bllokojmë pa afat rrugën nacionale”, tha deputeti Alfred Dalipi.

Tepelenë

Një grup anëtarësh dhe simpatizantësh të Partisë Socialiste dhe përkrahës të tyre nga partitë e koalicionit të majtë në Tepelenë kanë organizuar dje rreth orës 11:30 një protestë solidarizuese me grevistët e urisë. Grupi i protestuesve e ka organizuar tubimin në pjesën e rrugës nacionale Kakavijë – Tiranë, në sheshin “Ali Pashë Tepelena” në hyrje të qytetit të Tepelenës dhe gjatë protestës, një pjesë e pjesëmarrësve tentonte vazhdimisht të bllokonte këtë rrugë duke u ulur në asfalt. Por si rezultat i ndërhyrjeve të policisë aksi rrugor u bllokua vetëm për 15 minuta, ndërsa gjatë kohës tjetër të protestës lëvizja e kontrolluar nga policia rrugore ka vazhduar me një kalim.

Vlorë

Socialistët vlonjatë kanë zgjedhur bllokimin e rrugës që lidh Vlorën me Selenicën për të shprehur solidaritetin e tyre me grevën e urisë dhe vendosmërinë për të vijuar protestat deri në plotësimin e kërkesave të opozitës. Rreth 150 anëtarë dhe simpatizantë të PS-së, nën drejtimin e deputetit të zonës, Fatmir Toçi, u grumbulluan dje pasdite në urën e Shushicës, që lidh Vlorën me Selenicën dhe fshatrat e Lumit të Vlorës. Protestuesit, përpos parullave klasike për hapje kutish i kishin kushtuar vëmendje edhe çështjes së pronave. Protestuesit janë ulur në asfalt duke bllokuar për një orë qarkullimin e automjeteve e duke shkaktuar radhë të gjata në të dyja anët e urës.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›