E Diel, 1 Nëntor 2026

Kur na dhemb zemra nga futbolli

Shumë emocion, pasion dhe vëmendje mund të jenë fatale për shëndetin, duke rrezikuar infarkte me pasoja të pariparueshme. Në këtë përfundim kanë arritur mjekët pas studimeve të ndryshme të bëra për vite me radhë

Të bësh tifozllëk për skuadrën e zemrës është normale, sidomos për ata që janë shumë të pasionuar pas futbollit. Shpesh një ngjarje kaq e madhe si Botërori i Futbollit arrin të ngjallë interes edhe tek ata që nuk e ndjekin sportin. Por kujdes! Shumë emocion, pasion dhe vëmendje mund të jenë fatale për shëndetin, duke rrezikuar infarkte me pasoja të pariparueshme. Në këtë përfundim kanë arritur mjekët pas studimeve të ndryshme të bëra për vite me radhë.

Ata që kanë dhënë paralajmërimet e para ishin mjekët gjermanë, të cilët kanë studiuar nëse kishte lidhje dhe se cila ishte ajo mes infarkteve dhe Kupës së Botës në Futboll. Për ta gjetur këtë, kërkuesit analizuan rastet e 4279 infarkteve që u verifikuan në Gjermani pas Botërorit të vitit 2006. Doktor Ute Wilbert-Lampen dhe kolegët e tij arritën në përfundimin se nuk është vetëm rezultati i ndeshjes ai që provokon stres, por edhe vet ndeshja, plot 90 minuta stres të vazhdueshëm në pritje të golit vendimtar. Një situatë që mund të vendosë përpara një prove shumë të vështirë sistemin kardiovaskular, veçanërisht kur ai ka probleme. Lajmi i studimit është raportuar nga e përditshmja britanike “Daily Star”, që bën me dije se komente për këtë çështje kanë ardhur edhe nga Afrika e Jugut, që këtë vit, për të gjithë ata që e kanë harruar, do të zhvillojë Botërorin e Futbollit nga 11 qershori deri më 11 korrik. Mjekët afrikanojugorë, si doktor Hoosen Vawda kujtojnë: “Kjo ngjarje e rëndësishme e botës së futbollit është menduar për t’u shijuar me shpirtin e sportivitetit, jo për të vdekur”. Nga ana tjetër, Agjencia Britanike për Standardet e Ushqimit i ka ftuar të gjithë tifozët të mbajnë nën kontroll dietën e tyre.

Studime të tjera

Në fushë nuk ka ndodhur, por spektatorëve po: 77 persona në të gjithë Europën kanë pësuar infarkt gjatë sezonit të futbollit 2005-2006. Duke menduar për këtë, disa mjekë sportivë kanë vendosur të “hetojnë” nëse në stadiumet europiane, ato ku luajnë klubet e mëdha, janë trajnuar si duhet për rastet emergjente. Përgjigjja është jo: mungojnë defibrilatorët, nuk ka personel të kualifikuar, si dhe nuk ka programe emergjence të kodifikuar.

Klubet e mëdha

Studimi, i publikuar në “European Heart Journal”, ka përfshirë 187 stadiume në dhjetë vende europiane të përdorur nga 190 klubet më të mëdha. Rezultatet ishin tronditëse: një e katërta e stadiumeve nuk ka defibrilatorë automatikë, që të shpëtojnë jetën në rastet e pushimit të zemrës, 35 për qind nuk ka një procedurë mjekësore të shkruar për ta përdorur në raste emergjence dhe një program trajnimi për masazh kardipolmonar, 52 për qind nuk ka procedura të avancuara formimi për personelin. Mats Borjesson, kardiolog i “Sahlgrenska Academy” të Gotheborgut në Suedi, përgjegjës i studimit, ka deklaruar se janë gati rekomandime zyrtare për t’i bërë të sigurta stadiumet për spektatorët. “Mes të tjerave, ne ekzaminuam stadiumet ku luajnë klubet më të rëndësishme, me burimet më të mëdha ekonomike. Këtu mungesat varen nga mosvëmendja ndaj nevojave për sigurinë. Në stadiumet më të vogla apo të dedikuara sporteve më pak të ‘pasur’ të futbollit, situata është me të vërtetë e keqe”, thotë suedezi.

Rreziku

Ka edhe më: një në katër stadiume me largësi më të madhe nga spitalet nuk kanë defibrilatorë. “Një problem i vërtetë, sepse në këto raste nuk mund të garantohet procedura brenda pesë minutave, siç do ishte e dëshirueshme. Ndërkaq, është e kotë të kesh defibrilatorë nëse nuk ka personel që di t’i përdorë apo në gjendje të praktikojë masazhin kardiopolmonarë”, thotë Borjesson. Ka shumë për të përmirësuar, sepse nuk është i pamundur, madje është shumë i mundur një infarkt, ndërsa bën tifozllëk për skuadrën e zemrës. Vlerësimet e ekspertëve flasin për 1 rast në 589 mijë spektatorë, që nuk është as shumë, as pak. Ndoshta jo rastësisht në Spanjë, banka që sponsorizon kategorinë A dhe B të kampionatit iberik, prej disa kohësh ka nisur të mbulojë me një faturë sigurimi “antiinfarkt” të gjithë tifozët që shkojnë në stadium. Nga ana tjetër dihet se tifozët, sidomos ata të moshës së mesme dhe me ndonjë dobësi kardiovaskulare janë në rrezik. Edhe studimi i bërë në Gjermani gjatë Botërorit të fundit të Futbollit tregoi se mundësia e infarktit dyfishohet për të gjithë ata që emocionohen, duke parë skuadrën e zemrës. “Për këtë është e domosdoshme të zbatohen procedurat e duhura në rast emergjence dhe për spektatorët, jo vetëm për atletët”, përfundon Borjesson.

Sëmundjet e emocioneve

Emocionet e forta, si në rastin e ndeshjeve, shkaktojnë probleme të mëdha me organizmin. Ato janë shkaktare të shumë sëmundjeve. Mund të shkaktojnë rënien e flokëve, shqetësime në zemër, bllokimin e kanaleve të hundës, lotim, astmë, alergji të ndryshme, shtrëngime në fyt, laringjit, ankthe dhe sëmundje të lëkurës. Më e pabesueshmja është se për shkak të tyre mund të humben edhe dhëmbët. Emocionet mund të sjellin probleme me stomakun, më së shumti shfaqjen e ulcerës. Mjekët kanë konstatuar që 50­70 për qind e pacientëve të të gjitha moshave, të të dy sekseve që vuajnë nga sëmundje organike, kanë kaluar midis një rruge të gjatë emocionesh. Këto lloj sëmundjesh prekin veçanërisht rininë.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›