Greqia kërkon zbatimin e marrëveshjes së ndihmës

Ministri grek i Financave, Evangelos Venizelos, i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian të zbatojë “menjëherë dhe tërësisht” marrëveshjen e arritur muajin e kaluar, për paketën e re të ndihmës për Greqinë, në vlerë prej 109 miliardë eurosh.
Në një letër drejtuar presidentit të Bankës Qendrore Evropiane, Zhan Klod Trihet, komisionerit të BE-së për ekonomi, Olli Rehn, dhe ministrat e financave të Eurozonës Venizelos u ka kërkuar atyre që të zbatohet marrëveshja për paketën financiare.
Hapi i Venizelos vjen në kohën kur disa anëtarë të Eurozonës kanë bllokuar marrëveshjen, të nxitur nga Finlanda, e cila kërkon garanci nga Greqia për pjesën e saj të paketës.
Holanda, Sllovenia, Austria dhe Sllovakia kanë thënë se do të donin trajtim të ngjashëm.