E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqia merr fryme siguron kestin e radhes nga BE-FMN

Greqia ka siguruar këstin e radhës së ndihmës financiare, pasi inspektorët ndërkombëtarë që kontrolluan me imtësi financat e Athinës, ranë në marrëveshje me autoritetet e vendit për vijimësinë e reformave. Bashkimi Europian, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Qendrore Europiane thanë se Greqia do të marrë 8 miliardë euro ndihmë, edhe pse objektivat fiskalë për 2011 që i janë vendosur Athinës nuk kanë gjasa të realizohen.

• Kriza, Joe Biden viziton Athinën

“Pasi eurogrupi dhe bordi ekzekutiv i FMN-së të miratojnë konkluzionet e kontrollit të pesët të Trojkës, transhi i radhës prej 8 miliardë euro do të lëvrohet, me shumë gjasa, në fillim të nëntorit”, thuhet në deklaratën e auditëve ndërkombëtarë. 5.8 miliardë euro do të vijnë nga shtetet anëtare të eurozonës, ndërsa 2.2 miliardët e tjerë nga FMN-ja. Ministri grek i Financave, Evanxhelos Venizelos që ka biseduar me inspektorët gjatë gjithë këtyre ditëve, u përpoq të qetësonte opinionin duke përjashtuar çdo mundësi të përjashtimit të Greqisë nga Eurozona.

"Kjo çështje nuk është pjesë e negociatave, as nga ana jonë dhe as nga ana e partnerëve tanë ndërkombëtarë: Greqia është do të mbetet një anëtare e Eurozonës”, tha Venizelos. Një faliment i pakontrolluar i  Greqisë për shkak të borxheve të saj mund të ketë pasoja të paparashikueshme, duke hapur një krizë të aftë të destabilizojë të gjithë zonën euro.
Inspektorët e Trojkës thanë se ata besonin se Athina do të vazhdonte planin e privatizimeve, duke mbledhur 35 miliardë euro deri në fund të 2014.

Çelësi i suksesit, sipas tyre, është që fondi i privatizimit që mbikqyr shitjet, të mbetet i pavarur. Ata vlerësuan edhe vendimin e Qeverisë greke për t’i dhënë fund kontratave kolektive të punës. Konkluzionet e Trojkës, që e shpëtojnë edhe një herë më shumë Greqinë, janë pritur me protesta të ashpra të qytetarëve grekë. Më shumë se 2 mijë persona kanë protetsuar përpara parlamentit grek, të zemëruar nga vala e re e kursimeve në javët e ardhshme.

Juli Prifti
Azhornuar së fundi ( e martë , 11 tetor 2011 )

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›