Greqia mes krizës, grevave dhe sondazheve që favorizojnë të djathtën
Sondazhet flasin qartë. Nëse në vendin fqinj të Greqisë do të votohej sot, partia e majtë e Papandreut do të humbte zgjedhjet të cilat do të fitoheshin nga të djathtët e Demokracisë së Re. Tashmë është e qartë që problemet që po kalon Greqia po i adresohen gjithmonë dhe më shumë qeverisë së majtë të Papandreut. Madje edhe brenda partisë së Pasokut janë shfaqur shenjat e para të çarjes, siç dëshmon edhe rasti i gjashtë deputetë të majtë të cilët nuk janë shumë të të bindur për masat e marra nga qeveria e majtë e Papandreut dhe nuk duan t’i votojnë ato në parlamentin grek. Situata që po kalon Greqia, tashmë dihet se, nuk është nga më të mirat. Ndërkaq tensioni social në Greqi është rritur së tepërmi, grevave të punonjësve të transportit, që kanë sjellë mbylljen e metrosë së Athinës për 24 orë i është shtuar edhe greva e punonjësve të tjerë si taksistët të cilët do të ndalen për 48 orë. Edhe sindikatat greke kanë lajmëruar një grevë të përgjithshme për datat 5 dhe 19 tetor. Mes pritjes që në parlamentin grek të fillojë maratona parlamentare për të aprovuar masat e reja mbi pagat, pensionet dhe shkurtimet në administratën publike (të cilat arrijnë në 30 mijë vende pune), nisur edhe nga kriza që po kalon vendi fqinj shumë grekë kanë filluar të kryejnë shpenzimet e tyre përtej kufirit të Greqisë. Sipas shtypit perëndimor më shumë se 600 mijë persona (për të kursyer në veshje, karburante etj) dalin jashtë Greqisë, (duke nxjerrë në këtë mënyrë jashtë vendit të tyre rreth 500 milionë euro) për t’u drejtuar në Turqi apo Bullgari, vende këto jashtë eurozonë,s ku natyrisht edhe çmimet janë më të favorshme. Por një problem akoma dhe më i madh për Greqinë është shpërngulja e shumë firmave greke (sidomos ato të tekstileve) të cilat po transferohen në vendet e rajonit, sidomos në Bullgari. Kjo padyshim është për Greqinë “një hemoragji e pakontrollueshme”-kështu do të shprehej në një raport të saj Konfederata kombëtare e tregtisë greke duke vazhduar se: “Qeveria socialiste e kryeministrit Papandreu jo vetëm që nuk do të përmirësojë situatën fiskale të vendit por në të njëjtën kohë është duke shkatërruar pasurinë e nivelit të mesëm që prodhon”. Ndërkaq, edhe vendimi për paketën e re të ndihmave për Greqinë, që ishte parashikuar të merrej në datën 3 - 4 tetor, pritet të spostohet përsëri – kështu ka deklaruar Amadeu Altafaj, zëdhënësi i komisarit të Bashkimit Europian për Çështjet ekonomike Olli Rehn. Ndoshta një spostim i llogaritur që bëhet me qëllim për të vënë nën presion qeverinë e qendrës së majtë të Papandreut. I sigurt është fakti se nuk është vendosur ende një datë për rikthimin e troikës, (që përbëhet nga Banka qendrore europiane, Bashkimi europian dhe Fondi monetar ndërkombëtar), për zhbllokimin e paketës së ndihmës prej 8 miliardë eurosh, pa të cilën, flitet se në fund të tetorit qeveria greke nuk mund të paguajë pagat dhe pensionet. Sidoqoftë nuk ka një datë të saktë, edhe pse flitet se mund të ndodhë shpejt përcaktimi i një date për ardhjen e trojkës. Nga ana tjetër ministrat e financave të eurozonës - që do të mblidhen pas një jave në Luksemburg - do ta kenë të vështirë të japin pëlqimin e tyre për paketën e ndihmave prej 110 miliardë eurosh që mund t’i akordohet Greqisë. Ndoshta Papandreu në takimin me kancelaren Angela Merkel mund të flasë edhe për të gjitha këto, mund të diskutojnë mbi situatën ekonomike, mbi rrugët e daljes nga kriza të Greqisë por edhe mbi rrugët e tjera të mundshme që do të favorizonin Greqinë për daljen nga kriza. Por ka zëra, sipas të cilëve, Papandreu me vizitën e tij në Gjermani kërkon të influencojë votën në Bundestag (të parashikuar për të enjten) për zgjerimin e fondit për shpëtimin e shteteve në krizë. Gjithsesi një falimentim i Greqisë nuk mund të merret në konsideratë sepse do të shërbente si një “efekt domino i pakontrollueshëm” - kështu është shprehur kancellarja gjermane Merkel, përgjatë një interviste televizive Cnbc. Por ndërkaq prej zërash të tjerë mes të cilëvë edhe ministri gjerman i Financave Shauble kanë dyshimet e tyre mbi Athinën. Madje edhe opinioni publik gjerman është i ndarë mëdysh, 47% e tyre janë pro falimentimit të Greqisë ndërsa 50% kundra tij.
...