Korrupsioni, klientelizmi dhe drita në fund të tunelit
Nëse për një çast do të pyesnit një slloven(e) se cilat janë çështjet më problematike me të cilat po përballet vendi, përgjigja e tij (apo e saj) me shumë gjasa do të përqendrohej në binjakëzimin djallëzor të korrupsionit me klientelizmin. Klientelizmi kuptohet si një shkëmbim favoresh të diktuara nga marrëdhëniet familjare dhe shoqërore. Në shumicën e rasteve, këtu përfshihen edhe përfitime në biznese e punësim, por edhe ndërhyrje lehtësuese përgjatë procedurave ligjore. Kryqëzata kundër kësaj dukurie të binjakëzuar është mjaft e kuptimtë, por ka një problem: matjet me themel të bëjnë me dije se afro 80% e vendeve të punës në Slloveni përfitohen përmes marrëdhënieve individuale. Kjo do të thotë se shumica e atyre që ofshajnë ndaj kësaj prirjeje, i bie të jenë vetë përfituesit e drejtpërdrejtë. Nëse e nisim këqyrjen e dukurisë me idealizmin e një punëkërkuesi të thjeshtë, shumë shpejt do të vërejmë se hallkat që ndiqen për të siguruar vendin e punës janë të të njëjtit zinxhir: ai që gjen vendin e punës i bie të jetë pikërisht ai që është “rekomanduar” për po këtë vend pune. Nëse përkapet ashtu siç shquhet kjo dukuri, atëherë nuk është vonë për gjithkënd që të nisë të ftojë sa më shumë njerëz për të ngrënë drekë, me qëllim kultivimin e marrëdhënieve frytdhënëse. Nëse këto adete lidhen me çështje të biznesit të vogël apo për një vend pune pa shumë pretendime në administratën shtetërore - dhe ku ftesat për të ngrënë “një drekë” nuk shkojnë më shume se të shijosh “mish të pjekur e të kavardisur në grilë” - është e lehtë të biesh në një mendje se “nuk u bë qameti”. Por kur dukuria lidhet me kontrata me miliona euro mes shtetit dhe biznesmenëve privatë, atëherë mund të thuhet se gjendja është “ku thërret qameti”. Kjo lloj sjelljeje mund të ketë qenë praktikë e pranueshme në periudhën e socializmit në vendin tonë, por çështja është se sistemi aktual (kapitalist) nuk bëri ndonjë gjë me peshë për ta çrrënjosur. Madje, duke hequr një sërë kufizimesh ndaj mënyrës së përfitimit të pasurisë, gjendja po shkon keq e më keq. Përgjatë këtyre 20 viteve të ekonomisë kapitaliste, nuk vërehet aspak vlerësim për ata biznesmenë që luajnë ndershëm dhe respektojnë rregullat. Kjo kategori del vrik jashtë tregut, ose një pjesë e tyre detyrohen të respektojnë “rregullat” e shtetit, ose të mbijetojnë të zhvendosur cepave e skajeve të tregut. Gjithçka arriti pikun me ortekun e privatizimeve të kryera nga qeveria paraardhëse dhe kriza ekonomike në rrafsh global. Bankat shtetërore patën lëvruar kredi ndaj individëve që u siguronin në këmbim aksione në kompanitë shtetërore. Nuk ka vlerë të flitet më shkoqur, pasi gjithkush e di se për cilët “kambistë” bëhet fjalë. Kur kriza ekonomike na trokiti në derë, vlerat e aksioneve ranë dukshëm nën nivelin e borxhit aktual. Ky lloj perversiteti doli sheshit dhe gjithkush e kuptoi se taksapaguesit sllovenë po paguajnë tashmë mëkatet e elitës së bizneseve. Biznesmenët e mëdhenj u shndërruan në mishëruesit e korrupsionit dhe klientelizmit, dhe si të tillë, ata shihen si armiqtë e radhës së qytetarëve sllovenë. “Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit”, nën udhëheqjen e kreut të ri Goran Klemen, i është shndërruar në një institucion që gëzon besueshmëri të lartë dhe shërben si lehtësim për shpirtrat e trazuar të sllovenëve. Ky komision ka mundësuar përmes internetit rënien në kontakt me një program që i lejon çdo klikuesi të njihet me transaksionet e kompanive që janë sponsorizuar nga buxheti i shtetit. Përmes këtij programi, shpalosen një mori materialesh të papërpunuara, që natyrisht kanë nevojë edhe për interpretim më të specializuar, por disa të dhëna janë të tilla që të vrasin syrin dhe flasin vetë, aq sa nuk lind nevoja për kurrfarë interpretimi të specializuar. Njëherazi, nuk do shumë mund që të vësh re se cilat kompani kanë qenë ato që kanë përfituar pjesën e luanit nga buxheti i administruar nga qeveria përkatëse. Këto të dhëna ngjallin interes edhe për faktin se secila parti shprehet gjithmonë me “ne” kur bëhet fjalë për transparencë dhe ndershmëri, por, përherë me “ata” kur bëhet fjalë për të korruptuarit dhe klientelistët. Sigurisht që është e kuptueshme edhe kjo sjellje e tillë, pasi duke drejtuar gishtin e fajtorit vetëm tek “ata”, mëkatet e palës akuzuese duken më të përpjesëtueshme. Ashtu siç e kanë bërë me dije edhe institucionet e mbikëqyrjes së korrupsionit, korrupsioni slloven ka lidhje drejtpërdrejt me sistemin dhe jo aq me administratën. Kjo është një mënyrë shprehjeje në rrafsh akademik për të thënë më troç se në vendin tonë është shumë e vështirë të korruptosh një zyrtar, ndërkohë që administrata shtetërore është e korruptuar deri në fyt. Nëse kjo shqyrtesë të bën të kuptosh se në Slloveni individi e ruan integritetin vetjak, ndërkohë që shoqëria lëviz në kahje të kundërt, të paktën regëtin një rreze shprese: një optimizëm i kursyer gjithsesi se kjo mënyrë sjelljeje ka mbërritur në pikën e kthesës. Duke marrë në konsideratë të gjitha të dhënat, shqyrtimet dhe publikimet, mund të dilet në përfundimin se transparenca është në interesin e gjithkujt dhe se këto përfundime do të përudhnin një brez të ri biznesmenësh, politikanësh dhe votuesish. Apo mos vallë është ca si shumë të ëndërrosh diçka të tillë?
Autori është Kryeredaktor i “Slovenia Times”