Greqia në vend numëro, ende asnjë zgjidhje për krizën
Greqia vazhdon në vend numëro. Takimi i fundit i ministrit të financave greke Janis Sturnaras me Trojkën e ndërkombëtarëve duket se nuk ka zgjidhur ende problemet e shtetit Helen.
Negociatat mes palëve që kanë rinisur gjatë ditës së hënë kanë shënuar një seri pengesash, ndërsa nuk është arritur asnjë marrëveshje sa i përket cështjes kryesore për kursimin e dy miliardëve euro të propozuar nga qeveria për të finalizuar paketën e shkurtimeve të bilancit prej 13,5 miliardë euro.
Sipas ministrit të financave trojka i ka kërkuar nga qeveria e kryeministrit Antonis Samaras siguri për paketën e shkurtimeve.
Ndërkohë ministriae Financave ka prezantuar në Parlament projektbuxhetin për vitin e ardhshëm i cili parashikon ndër të tjera shkurtime të shpenzimeve me 7,5 miliardë euro, një rritje të të ardhurave prej 500 milionë si dhe një rritje e bilancit me 2,2 miliardë për të reduktuar deficitin buxhetor në 4,2% të PBB.
Përsa i takon ekonomisë parashikohet që për vitin aktual të bjerë në 6,5% dhe në vitin e ardhshëm në 3,8% duke e zhytur vendin në vitin e gjashtë të recesionit