E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqia nuk do furnizohet me ilaçe kundër kancerit. Roche: Ka shumë borxhe

BRUKSEL-  Kompania gjigande farmaceutike Roche i ndalon Greqisë furnizimin me ilace kundër kancerit dhe ilace të tjerë për spitalet shtetërore për shkak të borxheve prej vitesh të papaguara.

Zëdhënësja e kompanisë Roche, Claudia Schmidt ka thënë për faqen informative me qendër në Bruksel, EUobserver, se vendimi për Greqinë ishte marrë pas korrikut, ndërsa ajo kishte fatura të papaguara që prej 2007.

Sipas skemës, pacientët duhet të blejnë vetë ilacet farmaceutike, nëse mund t’i përballojnë, dhe të kthehen në spital që mjekët të japin këshillat për përdorimin e tyre.
 
Zëdhënësja e kompanisë Roche ka thënë se kompania po përpiqet të jetë tolerueshme: Në rast se një spital na detyrohet 2 milionë- 3 milionë euro, dhe mund të paguajnë 300 mijë euro në dorë, atëherë do të marrin produktet në vlerën e kësaj shume brenda një periudhe të caktuar kohe.
Anijet me ilace janë ndaluar për ato shtete që nuk paguajnë asgjë”

Sipas zonjës Schmidt situata në Greqi është më akute, ndërsa paralajmëroi se masa të tilla mund të merren dhe për vende të tjera të goditura nga kriza

Në Greqi shërbimi shëndetësor zë 10 % të GDP-së. BE, FMN dhe Banka Qendrore Europiane i ka bërë thirrje Athinës të shkurtojë të paktën 310 milionë euro këtë vit, dhe në të ardhmen të shkurtojë 1. 43 miliardë euro për peridhën 2012- 2015. Gjithashtu trojka e shpëtimit i ka bërë thirrje qeverisë greke të përdorë ilace të përgjithshme. Në shkurt të këtij viti doktorë dhe punonjës të tjerë të shërbimit shëndetësor protestuan kundër shkurtimit të fondeve në shëndetësi.

KE: NUK NDERHYJME, FAJI I GREQISE
Kundër Greqisë tashmë është edhe Komisioni Europian i cili deklaron se nuk janë për t'u kritikuar masat drastike që kompania gjigande farmaceutike ka marrë ndaj Greqisë, për të ndaluar shpërndarjen e ilaçeve kundër kancerit për spitalet publike.

Komisioni Europian është prirë të lajë duart për problemet e ilaçeve për kancerin.
“Është vendim tregtar nga një kompani”- ka thënë zëdhënësi i komisionit europian Frederic Vincent për gazetarët në Bruksel, duke shtuar se BE nuk ka fuqi mbi planet shëndetësore kombëtare.
Nga ana e tij zëdhënësi i ekonomisë, ka thënë se BE dhe FMN kanë dhënë para të mjaftueshme për Greqinë në shërbim të spitaleve, dhe se mungesa e parave është për shkak të menaxhimit të keq të Athinës.
“Nuk kemi qenë të pandjeshëm. Është çështje sesi autoritetet e Greqisë kanë menaxhuar buxhetin. Greqia ka para” ka shpjeguar më tej ai duke shtua se “Paketa e asistencës financiare që i është dhënë Greqisë një vit më parë mbulonte nevojat financiare të shtetit grek. Pastaj sesi ky shtet i mirëmenaxhon ato, është përgjegjësi e plotë e autoriteteve greke.”

Ndërsa një zyrtar tjetër i BE-së, duke folur në kushtet e anonimatit komenton se “nuk janë masat shtrënguese ndërkombëtare europiane që kanë shkaktuar këtë situatë. Ajo çka duhet të jetë e qartë është se përpara krizës, Greqia kishte shumë nga ilaçet më të shtrenjta në Europë, dhe në të gjithë botën, për shkak të keqfunksionimit të sistemit, korrupsionit në mjekësi dhe qytetarët grekë abuzuan”

Kompania gjigande farmaceutike ka paralajmëruar edhe Portugalinë, Italinë dhe Spanjën se mund të jetë radha e tyre nëse nuk paguajnë borxhet
(Suela Gera/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›