E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi ka qenë në dijeni të shkeljeve të ligjit nga Mediu



Kuvendi ka qenë në dijeni të shkeljeve të ligjit nga ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, në kohën kur ka drejtuar këtë ministri. Lajmi është bërë i ditur dje nga vetë kryetari i Komisionit Parlamentar për Sigurinë Kombëtare, Leonard Demi. Gjatë një takimi dje me përfaqësues të Komisionit për Sigurinë të Kosovës, Demi ka bërë të ditur se ka monitoruar Ministrinë e Mbrojtjes gjatë kohës kur drejtohej nga Fatmir Mediu. Ai tha se gjatë dy monitorimeve janë vënë re shkelje si në drejtim të zbatimit të ligjit për sistemin e gradave, ashtu dhe për zbatimin e ligjit për çarmatimet. Kjo është deklarata e parë që vjen nga një titullar i Kuvendit që deklaron publikisht se ish-ministri Mediu ka shkelur ligjin. Ndërkohë që në seancat gjyqësore për tragjedinë e Gërdecit, dëshmitarë të ndryshëm, zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes kanë bërë me dije se janë shkelur ligjet në procesin e demontimit të armëve gjatë kohës kur kjo ministri drejtohej nga Mediu.
Deklarata
Kryetari i Komisionit Parlamentar të Sigurisë, Demi, midis të tjerave ka bërë të ditur se rezultatet e monitorimit në atë kohë i janë bërë të ditur ministrit në mënyrë që të merreshin masa. “Ne deri sot e kemi mbikëqyrur dy herë Ministrinë e Mbrojtjes. Një herë kur ka qenë zoti Oketa dhe një herë kur ka qenë zoti Mediu. Kemi parë si zbatohet ligji për gradat dhe karrierën dhe fatkeqësisht kemi vënë re disa shkelje të vogla. Mbikëqyrja tjetër është bërë për armatimet në Shqipëri. Përfundimet nuk kanë qenë pozitive. Ne ia kemi bërë të njohur ministrit të atëhershëm dhe ia kemi bërë të ditur në mënyrë që të merreshin masa të menjëhershme”, - është shprehur kryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare.
Situata
Ndërkaq, ministri aktual i Mbrojtjes, Arben Imami, ka bërë të ditur se municionet e shpërndara në të gjithë territorin e vendit llogariten në rreth 80 mijë tonë dhe në çdo rast janë një mundësi rreziku. Sipas ministrit, janë tri uzina ku po kryhet demontimi i armëve, në atë të Poliçanit, të Mjekësit dhe të Gramshit. “Deri ditën që do të largohet predha e fundit, gjithmonë ekziston hipotetikisht, potencialisht një mundësi rreziku. Ajo që ne tani mund të bëjmë dhe po bëjmë është transferimi i tyre dhe i kemi larguar gjithçka që është në qendrat e banuara. Së dyti, po bëjmë evadimin e pjesës më të dëmtuar dhe që ndodhet në depot më të keqmbajtura”, - është shprehur Imami. Ministri i Mbrojtjes tha se Shqipëria aktualisht shet armë, por në një masë të vogël. Ato nuk shiten në vendet në konflikt, por kryesisht në vendet e Bashkimit Europian. “Shitet mbi bazën e ligjit në vendet e BE-së. Shpresojmë që ta përmirësojmë këtë performancë sepse do të kompensonte për buxhetin e shtetit edhe paratë që jepen për demontim”, - ka bërë të ditur Imami.

Debati për kutitë, Gjykata Kushtetuese nuk vihet në lëvizje pa kërkesën e një subjekti

Ka reaguar dje drejtoresha për Marrëdhëniet me Publikun në Gjykatën Kushtetuese, Edlira Abazi, përsa i përket debatit për hapjen e kutive të votimit. Ajo ka bërë të ditur se ligjërisht Gjykata Kushtetuese nuk mund të vihet në lëvizje pa pasur një kërkesë nga një subjekt politik. “Gjykata Kushtetuese e ka të pamundur të vihet në lëvizje me iniciativën e saj. Që Gjykata Kushtetuese të vihet në lëvizje, pra ta marrë në shqyrtim një çështje, duhet të jetë patjetër një nga subjektet e përcaktuara në Kushtetutë të bëjë një ankimim”, - është shprehur Abazi. Ky reagim vjen vetëm një ditë pas deklaratës së Byrosë Parlamentare të Këshillit të Europës, në të cilën sugjerohet që Gjykata Kushtetuese të nisë shqyrtimin e kërkesës së PS-së për hapjen e kutive të votimit si dhe t’i drejtohej për opinion Komisionit të Venecias.

28 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›