E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqia pret auditët e parë pas ndihmës

Kriza

Auditët financiarë ndërkombëtarë kanë filluar punën për të kontrolluar financat greke, për të bërë një vlerësim të progresit të deritanishëm pas masave shumë të rrepta që u morën nga qeveria për shkurtimin e shpenzimeve. Ekspertët kryesisht nga Bashkimi Europian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar kanë shkuar në Greqi sipas termave të paketës së ndihmës financiare që vendet e Eurozonës dhe FMN-ja i akorduan Greqisë, e cila ndodhej në prag të një kolapsi si shtet pak javë më parë. Greqia ka bërë ndërkohë që nga fillimi i vitit disa shkurtime shumë të mëdha të shpenzimeve për të ulur deficitin buxhetor që ka kapur shifrën alarmante prej 14% të Prodhimit Kombëtar Bruto. Si vend i Eurozonës, në kushte normale nuk i lejohet që këtë shifër ta tejkalojë mbi 3%. Me masat e marra, Greqia synon që të reduktojë deficitin në masën e duhur vetëm në vitin 2014. Auditët e mbërritur dje në Greqi do të kalojnë një javë duke vlerësuar përparimet e bëra prej saj këto javët e fundit, që ka pasur edhe ndihmën e paketës financiare nga vendet e Eurozonës. Detyra e tyre është kontrolli dhe biseda me aktorët kryesorë financiarë dhe ekonomikë të vendit, si dhe me ekspertë të pavarur për të parë të gjitha këndvështrimet e nevojshme për të bërë një vlerësim paraprak të rezultateve të ndihmës. Gjatë muajve të fundit Greqia ka qenë në prag të falimentimit si shtet dhe sipas shumë vlerësimeve, vendimi për futjen e Greqisë në Eurozonë ka qenë i nxituar duke qenë se në këtë vend nuk ishin kryer reformat e duhura financiare dhe taksore për të siguruar një shëndet të financave në kushtet e reja të euros. Bashkimi Europian, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Qendrore Europiane kanë bërë bashkë një paketë prej 110 miliardë eurosh që do t’i jepet Greqisë për një periudhë 3-vjeçare për ta ndihmuar të dalë nga kolapsi. Kjo paketë do të shoqërohet edhe me masa të ashpra të reduktimit të shpenzimeve. Ndërkaq, dje, Kryeministri i Greqisë deklaroi se vendi i tij kishte ecur shumë mirë javët e fundit dhe se madje arritjet ishin më të mira nga sa parashikoheshin. Por sigurisht këtë do ta vendosin ekspertët e BE-së gjatë kontrollit të tyre njëjavor. Ndërkaq Banka e Italisë bëri të ditur se borxhi publik i vendit arriti shifrën rekord të 118.4 miliardë eurove në muajin prill. Një vit më parë borxhi publik ishte 115.8% i Prodhimit Kombëtar Bruto. Edhe Kryeministri Silvio Berluskoni ka njoftuar ndërmarrjen e shkurtimeve të shpenzimeve publike për ta ulur ndjeshëm deficitin në vitin 2012.
Ky lajm është një ilustrim i situatës jo të mirë jo vetëm në Greqi, por në shumë vende të Europës Jugore që prej kohësh janë në një situatë delikate.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›