E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si zbukuroheshin gratë shqiptare

Një ekspozitë e plotë me stolitë e grave shqiptare do të çelet më 18 qershor në Muzeun Historik Kombëtar, me fondet e koleksionistit Lulzim Perati. Ekspozita do të qëndrojë e hapur gjatë gjithë verës, për të plotësuar disi dimensionin e munguar etnografik në muze

Dikur një aksesor zbukurimi, sot kanë vlerën e antikuariateve. Një ekspozitë e plotë do të sjellë në vëmendje stolitë e vjetra të grave shqiptare. Pjesë të fondit të koleksionistit shijakas, Lulzim Perati, do të ekspozohen në Muzeun Historik Kombëtar duke filluar prej datës 18 qershor. Janë të shumta në numër e po ashtu mbulojnë një shtrirje gjeografike të konsiderueshme. Specialistët e MHK-së kanë udhëtuar më parë në shtëpinë e tij, ku Perati ruan stenda të tëra të këtyre stolive, veç objekteve të tjera që nuk mund të mungojnë në shtëpinë e një koleksionisti. “është një koleksion shumë i pasur, që do t’i lejojë publikut të shohë për herë të parë një gamë kaq të gjerë të stolive të grave shqiptare”, shprehet Sotirulla Hoxha, specialiste e MHK-së. Do të jenë 23-28 stenda me inventarin e plotë të stolive të përdorura në krahina të tilla si në Gjirokastër, Berat, Skrapar, Rrajcë, Lezhë, Zadrimë, Malësi e Madhe. Vetëm dy ose tri prej këtyre stendave përmbajnë fragmente stolish, të cilat Perati nuk ka mundur t’i plotësojë. Ndërsa për Lulzim Peratin kjo është e para ekspozitë e plotë e koleksionit të tij, për Muzeun Kombëtar është në një farë mënyre plotësim i dimensionit të munguar etnografik. Ekspozita që do të qëndrojë e hapur përgjatë gjithë sezonit veror, do të mund të japë deri diku një informacion modest, në mungesë të një pavijoni etnografik në Muzeun Kombëtar. Lulzim Perati, tashmë pjesë e Shoqatës së Koleksionistëve Shqiptarë, e ka nisur këtë aktivitet rreth viteve ‘88-‘89 thuajse për rastësi. Atëkohë mësues i teknikës, u vu në kërkim të një kryqi të vjetër që ia kishin lënë porosi dhe prej atëherë mbetet i pasionuar pas stolive. “Stolitë i përkasin fillimit të shekullit XVIII deri në fund të shekullit XIX. Unë kam punuar që të ndërtoj stenda të plota me të gjitha stolitë e përdorura nga gratë e një krahine të caktuar dhe vetëm pak prej tyre janë fragmente”, thotë Perati. Një stendë e kësaj ekspozite do t’u kushtohet sahateve të burrave, ndërkohë që të ekspozuar do të jenë edhe tri kostume grash të Tiranës, Krujës dhe Elbasanit. Perati tregon se këto stoli i ka blerë ku të mundej: në familje shqiptare, në Pazarin e Vjetër të Krujës, në dyqanet e Shkodrës apo edhe te ndonjë argjendar ku stolitë ishin shitur për t’u shkrirë. “Sot është shumë e vështirë të gjesh stoli të tilla, vetëm një koleksionist mund ta kuptojë në të vërtetë”, shprehet ai. Edhe më parë na ka qëlluar të shohim stoli të grave shqiptare në ekspozita të hapura jo enkas për to. Gjatë këtyre viteve, përveçse i ka koleksionuar, Perati ka bërë edhe një punë organizuese, për të ndërtuar stenda të plota me stolitë tipike të një krahine. Gjen vargje të llojeve të ndryshme, vathë, byzylykë, rripa mesi apo edhe komça me motive të ndryshme. Lloji, por edhe motivet janë të kushtëzuara nga krahinat ku janë përdorur. Perati ka punuar deri ditët e fundit që të përfshinte në këtë ekspozitë stolitë e gruas çame dhe vllahe. I është dashur shpesh që të konsultojë literaturën etnografike botuar nga specialistët e Institutit të Kulturës Popullore si Rrok Zojsi, Andromaqi Gjergji, apo së fundmi kërkon shpesh konsulencën e Afërdita Onuzit. Tregon se herë pas here u është referuar edhe fotove të Marubit, portreteve të grave, në të cilat është bazuar për të plotësuar koleksionin. Në fushën etnografike, Perati apo të tjerë koleksionistë përmbushin atë që institucionet shtetërore e në këtë rast Instituti i Kulturës Popullore nuk realizon dot për mungesë lekësh: të pasurojë fondin me objekte që në një të nesërme mund të mos gjenden më. E ndërsa koleksionistët veprojnë në mënyrë të pavarur, me ekspozita të këtij lloji ata mund të kënaqin syrin e turistëve, por ata nuk mund të sigurojnë trashëgiminë në breza të këtyre vlerave. Kjo mbetet në vullnetin e tyre. Specialistët e Institutit të Kulturës Popullore kanë theksuar shpesh se ndoshta në një të ardhme jo shumë të largët, edhe nëse ata do të kenë mundësi ta pasurojnë fondin e tyre me ekzemplarë të rrallë të objekteve etnografike, ndoshta nuk do të mundin, sepse të tilla nuk do të ekzistojnë. Tregu privat përbën sot një joshje të madhe edhe për ato pak familje që i zotërojnë. Ndërkaq, në mungesë të një muzeu të shumëkërkuar etnografik dhe të një pavijoni po të munguar në Muzeun Kombëtar, ekspozita si kjo që do të çelet me koleksionin e Lulzim Peratit kanë një vlerë të madhe për kulturën kombëtare.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›