Matematika, sot maturantët në testim
Maturantët do t’i nënshtrohen sot provimit të dytë të Maturës Shtetërore, atij të matematikës. Agjencia e Vlerësimit të arritjeve të nxënësve ka përfunduar hartimin e testit të matematikës. Sot, në orën 10:00 të paradites, do të zhvillohet testi i matematikës, në të gjitha shkollat e mesme të vendit. Ky është provimi i dytë i Maturës Shtetërore, për të gjithë të rinjtë që kanë përfunduar nxënësit që kanë përfunduar klasën e 12-të në këtë sistem. Testi është parashikuar të zgjasë dy orë, duke shënuar një përfundim zyrtar në orën 12:30 në të gjitha gjimnazet. Provimi do të përmbajë 25 pyetje, nga të cilat 13 do të jenë me alternativa, ndërsa 12 prej tyre me zhvillim.
Dje ka filluar shpërndarja e testit në të gjitha shkollat e vendit, ndërsa në Tiranë, dorëzimi i tyre do të bëhet në orën 6:00 të mëngjesit. Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka preferuar që procesi i hartimit, por edhe ai i vlerësimit të tezave për këtë vit, të vijë në një formë të re. Ajo ka parashikuar që sistemi i Maturës Shtetërore të organizohet, në një mënyrë sa më të kualifikuar dhe transparente. Sipas specialistëve të procesit të Maturës Shtetërore e gjithë kjo synon arritjen e një procesi të barabartë për vlerësimin e gjithsecilit. Procesi i hartimit të tezave është realizuar në fshehtësi, në mënyrë që të mos zbulohej kombinimi i pyetjeve që kishin përgatitur hartuesit e testit të matematikës, procedura të njëjta edhe me provimin e parë të detyruar, atë të letërsisë. Gjatë viteve të kaluara, korrigjimin e tezave e ka bërë një mësues i përgatitur, i cili pasi e ka shqyrtuar me kujdes tezën, ka bërë edhe vlerësimin përkatës. Ndërsa për këtë vit, skema e vlerësimit është konceptuar në një mënyrë tjetër. Drejtoria e Arsimit Parauniversitar dhe Ministria e Shkencës ka vendosur që korrigjimi i tyre të bëhet nga specialistët e përzgjedhur nga Drejtoritë Arsimore. Sipas Drejtorit të Arsimit Parauniversitar, Fatmir Vejsiu, ky vendim është marrë në mënyrë që të mos ketë keqinterpretime për mënyrën se si do të vlerësohen maturantët. Fakti që këtë vit vlerësuesit do të jenë të jashtëm shmang mundësitë për abuzimet që mund të bëheshin nga mësuesit e brendshëm. çdo provim do t’i nënshtrohet dy vlerësimeve. Kjo do të thotë që secila tezë do të korrigjohet nga dy specialistë, të cilët janë të kualifikuar në këtë fushë. I pari do të vlerësojë me kujdes testin, duke mos pasur të drejtën për të vendosur notë. Nga ana tjetër, Ministria e Arsimit ka vënë në dispozicion shtatë ditë, për të gjithë maturantët që do të kenë ankesa për notën me të cilën janë vlerësuar. Procesi i zhvillimit të provimit të matematikës, njësoj si ai i letërsisë do të monitorohet dhe do të vlerësohet nga Inspektorati Kombëtar i Arsimit Parauniversitar (IKAP) dhe të gjitha Drejtoritë Arsimore Rajonale dhe Zyrat Arsimore në vend.
#