Greqia, të dalë apo të mos dalë nga euro
VALBONA ZENELI
Ai që u duk se ishte një problem i brendshëm politikash në Greqi në 2009- n, kur ish-kryeministri Papandreu deklaroi se buxhetet shtetërore kishin rezultuar të falsifikuara dhe deficitet buxhetore ishin dy herë më të mëdha sesa publikisht të deklaruara, po kthehet në një krizë reale, e cila rrezikon eurozonën, me konsekuenca potenciale negative për gjithë ekonominë botërore. Kriza financiare dhe ekonomike në Europë ka shkaqe të ndryshme. Filloi në fund të 2008-s me falimentimin e Lehman Brothers, një nga simptomat e krizës bankare ndërkombëtare, duke sjellë konsekuenca serioze ekonomike në disa vende të eurozonës, për shkak të uljes së rritjes ekonomike dhe konkurrueshmërisë. Kjo solli rritje të borxheve publike të këtyre vendeve dhe vështirësi pagesash. Situata bëhet edhe më e vështirë për shkak të diferencës së opinioneve të aktorëve kryesorë politikbërës të Bashkimit Europian në lidhje me zgjidhjen e situatës. Problemet nuk qëndrojnë në situatën e përgjithshme në eurozonë, por në disa anëtarë të saj të Europës Jugore. Pavarësisht të gjithave, monedha e përbashkët ka qëndruar stabël si brenda eurozonës, me norma tw ulëta inflacioni, ashtu edhe jashtë saj, me norma këmbimi stabël. Greqia është aktualisht epiqendra e krizës së borxhit sovran, me një borxh që arriti 160 % të GDP-së në fund të vitit 2011. Nuk kam si qëllim të merrem me shkaqet që sollën këtë situatë krize në Greqi, janë shkruar qindra artikuj për ti shpjeguar ato. Por, do të theksoja se kjo është një krizë e prodhuar edhe nga korrupsioni, pandëshkueshmëria, keqadministrimi politik, klientelizmi, fryrja e jashtëzakonshme e administratës publike (1/9 e të punësuarve në Greqi). Sot, qytetarët në BE nuk janë më shumë të interesuar për shkaqet dhe mënyrën sesi kjo situatë u krijua, por për të gjetur një rrugëdalje. Situata në Greqi është veçanërisht e vështirë. Ekziston një frikë e fortë mes politikanëve dhe qytetarëve të thjeshtë në lidhje me daljen e mundshme të vendit nga euro zona këtë shtator. Në fakt, qysh prej majit të kaluar, zyrtarë të eurozonës paralajmëruan anëtarët e saj të fillonin të përgatisnin plane emergjence, në rast të Grexit (siç quhet sot dalja e Greqisë nga zona e monedhës së përbashkët). Duket se edhe vendet më të fuqishme të eurozonës po mësohen dalëngadalë me këtë ide, duke e konsideruar daljen e Greqisë një sfidë të menaxhueshme për të gjithë partnerët europianë. Sipas World First, shanset për daljen e Greqisë nga euro në 12 deri në 18 muajt e ardhshëm arrijnë deri në 70%. Mbështetësit e daljes së Greqisë nga euroja shpjegojnë se falimentimi do ta lejonte vendin ta merrte veten më shpejt dhe ti jepte fund nevojës për rinegocime të pafundme për borxhin publik. Gjithashtu, kjo do të limitonte risqet e përhapjes rajonale të krizës dhe do të lejonte Greqinë të fokusohej në përmirësimin e konkurrueshmërisë së saj. Benefite të tjera do të realizoheshin edhe nga shtytja e qeverisë greke për të promovuar transparencën dhe përgjegjshmërinë. Pikë qendrore në këtë temë do të ishte nevoja jo aq shumë për të rritur taksat, por për të forcuar efektshmërinë në mbledhjen e tyre. Disa qeveri europiane kanë filluar të kalkulojnë koston financiare të vendeve të tyre në rastin e daljes së mundshme të Greqisë nga eurozona në muajt e ardhshëm, me premisën që çdo kosto e daljes të jetë më e ulët se kostoja e negocimeve dhe ndihmave të pafundme. Një supozim fillestar i kostos financiare të Grexit flet për një faturë prej 320 bilion eurosh, dhe disa banka gjermane kanë kalkuluar se kjo do ti kushtonte qeverisë gjermane rreth 100 bilion euro, diçka si 3% e prodhimit vjetor ekonomik. Një kosto e ngjashme është llogaritur edhe nga zyrtarët financiarë francezë. Por a është Grexit kaq e thjeshtë dhe e menaxhueshme siç shpjegohet në një farë mënyrë nga mbështetësit e kësaj ideje? A është kjo një ujdi e mirë, në krahasim me angazhimet pa fund drejt Greqisë? Apo është thjesht një mënyrë për të rritur presionin ndaj qeverisë së Athinës për të implementuar reformat ekonomike dhe planin e masave shtrënguese? Banka Qendrore Europiane (BQE) dhe qeveritë europiane kanë dhënë hua më tepër sesa 2 trilion euro deri tani, për të mbështetur vendet e Europës Jugore (apo periferike, në gjuhën që përdorin sot ekonomistët). Këto hua kanë qenë të kondicionuara me masa shtrënguese, të cilat jo gjithmonë kanë demonstruar rezultatet që priteshin, të paktën në periudhën afatshkurtër. Në Greqi, nën presionin e autoriteteve europiane, shpenzimet publike janë shkurtuar duke ulur në këtë mënyrë nevojën për hua të reja. Gjithsesi, ndërmjet 2009-s dhe 2011-s, GDP-ja ka rënë me 10 %, stoku i kapitalit me 30% dhe kërkesa e tregut me 17.5%. Ekonomia pritet të tkurret me tepër sesa 7% në vitin 2012. Këto të dhëna bëjnë që deficiti të vazhdojë dhe raportet e borxhit të rriten, duke bërë në këtë mënyrë jorealiste pritshmëritë që vendi do të jetë në gjendje të stabilizojë financat publike. Pyetja është: Largimi nga euroja, është vërtet gjeja më e mirë e mundshme për Greqinë dhe qytetarët e saj? A do ta ndihmonte rikthimi te dhramia Greqinë që të ringrihej së shpejti? Unë jam dakord me disa ekspertë ekonomikë që kostot potenciale të daljes së Greqisë nga euro janë shumë të paqarta dhe potencialisht të rrezikshme. Duke e parë këtë çështje nga një perspektivë më e gjerë, shumë pyetje më vijnë në mendje. Si do të ndodhë tranzicioni nga euroja te dhrahmia? Çfarë mekanizmi duhet ngritur për të parandaluar falimentimin e mundshëm bankar? Cilat masa do të merren për tu marrë me çështjen e fluturimit të kapitalit? A do të shkaktojnë rrethanat ekonomike një valë të re emigrimi në një kohë që kapitali njerëzor do të duhet më shumë se kurrë sot për rigjenerimin e Greqisë? Çfarë do të ndodhë me borxhin sovran të Greqisë? Cilat do të jenë konsekuencat për sigurinë ndërkombëtare? Faktet tregojnë se në vazhdim të deklaratave dhe opinioneve kontradiktore mbi unitetin e eurozonës, gjatë muajve të fundit depozituesit grekë dhe jo vetëm (spanjollët dhe italianët gjithashtu) kanë transferuar depozitat e tyre drejt bankave në Gjermani dhe Holandë më së shumti. Sipas Bloomberg View, për shkak të frikës së kthimit te dhrahmia apo lireta, janë transferuar tashmë më shumë se 800 bilion euro dhe ky trend po intensifikohet. Në një kohë kur qeveria greke dhe të tjera po luftojnë për të marrë hua dhe rinegociuar borxhet, qytetarët e tyre po dërgojnë monedha jashtë vendit, duke vënë në këtë mënyrë në rrezik të madh sistemin bankar. Për aq kohë sa do të vazhdojë rreziku i daljes nga euroja, kreditë në tregjet lokale do të jenë të mangëta, kapitalet dhe investimet e huaja do të qëndrojnë larg, duke tkurrur edhe më tepër ekonominë. Në opinionin tim, kostot e daljes nga euroja, për vetë Greqinë do të jenë shumë më të larta sesa pagesat e borxhit. Ky nuk është thjesht një problem ekonomik, është edhe një problem sigurie kombëtare dhe ndërkombëtare. Nëse vendi do të përballet me një falimentim të pastrukturuar, shteti nuk do të jetë në gjendje të paguajë rrogat dhe të ofrojë shërbimet publike (të paktën ato më esenciale). Kjo do të sjellë një risk të lartë radikalizmi (i manifestuar edhe gjatë muajve të fundit), që do të kishte konsekuenca sigurie, vështirë të parashikueshme. Destabilizimi nuk do të prekte vetëm Greqinë, por të gjithë Ballkanin, për shkak të lidhjeve të ngushta ekonomike dhe sociale. Ndikim të drejtpërdrejtë do të kishte dhe për vendet, të cilat në mënyrë direkte, ose përmes BQE-së, janë të lidhura me Greqinë dhe borxhin e saj, por jo vetëm. I gjithë Bashkimi Europian do të prekej, por efekte negative do të ndiheshin edhe në SHBA, si partneri tregtar më i rëndësishëm i BE-së. Dalja nga euroja nuk do të ishte vetëm një zhvlerësim i Greqisë, kjo mund të përbënte një precedent për vendet e tjera me probleme, por edhe sikur të mos ndodhte kjo, përsëri do të çonte në një trazim të të gjithë zonës së monedhës së përbashkët përmes efektit domino të fluturimit të kapitalit bankar dhe ndërprerjes së mekanizmave të pagesave në eurozonë. Nëse Greqia lë eurozonën, do të kishim një fluturim kapitali shumë më të shpejtë se sa ai që po vihet re këto kohë. Kjo do të bënte që